Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kanë konfirmuar për Klankosova.tv se Kadri Veseli është lejuar që të vijë në Kosovë për të pamen e babait të tij.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që ta menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë që Kadri Veseli të jetë pranë familjes së ngushtë pas rastit të vdekjes së babait të tij.
I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës janë duke mbështetur Dhomat e Specializuara të Kosovës”.
Babai i Kadri Veselit, Fazli Veseli, ka vdekur në moshën 94 vjeçare të mërkurën, por në ceremoninë e varrimit nuk ishte i pranishëm djali i tij i vogël [Kadri Veseli]. Ky i fundit iu kishte thënë familjarëve që ceremonia të vazhdojë edhe pa praninë e tij.
Ish-kryetari i PDK-së dhe i Kuvendit të Kosovës kishte ardhur në Kosovë edhe në muajin maj, me leje të veçantë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, për ta vizituar babain e tij, atëherë në gjendje të rënduar shëndetësore, që ishte i shtrirë në Spitalin e Mitrovicës.