Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin shprehet kritik për formatin e Kampionatit Europian, teksa në një intervistë të dhënë dy ditë para finales Angli-Itali, thekson se nuk do të mbështesë më kurrë një tjetër Europian shëtitës.
“Në njëfarë mënyrë nuk është korrekte që disa ekipe të bëjnë rreth 10 mijë kilometra nga një ndeshje në tjetrën, ndërsa të tjera skuadra vetëm 1 mijë kilometra. Është shumë impenjative. Nuk është e drejtë edhe për tifozët, të cilët një ditë duhet të ishin në Romë dhe më pas në Baku të Azerbajxhanit”, deklaroi kreu i UEFA-s.
Vendimi për këtë format të Euro 2020-ës është marrë në 2012-ën, Kur Ceferin nuk kishte ardhur ende në krye të qeverisë europiane të futbollit, ndaj nuk mundi të bëjë asgjë për ta ndryshuar.
“Si ide është mjaft e mirë, megjithatë është e vështirë të implementohet, ndaj nuk besoj se do ta provojmë sërish. Na është dashur të udhëtojmë në vende të BE-së dhe jashtë BE-së, si dhe jemi përballur me rregullore të ndryshme mbi pandeminë, ndaj kemi vuajtur jo pak”, tha Ceferin.


