Uncategorized

PDK e dërgon në Kushtetuese vendimin për shkarkimin kolektiv të anëtarëve të KPMSHC

07/07/2021 15:48
nga:M K

Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit, përmes të cilit theksojnë se anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës u shkarkuan në mënyrë kundërkushtetuese dhe arbitrare.

Në këtë kërkesë, PDK ka argumentuar se Kuvendi në mënyrë kundër-kushtetetuese, ka shkelur dy nene konkrete të Kushtetutës, respektivisht nenin 101 (Shërbimi Civil) dhe 142 (Agjencitë e Pavarura) të Kushtetutës.

“Ky Këshill është institucion i pavarur i nivelit kushtetues, dhe garanton standardet e meritës, profesionalizmit, neutralitetit ndaj politikës dhe të karakterit të shërbimit civil në kuadër të administratës së shtetit. Po ashtu, në bazë të përgjegjësive kushtetuese të këtij institucioni të pavarur, qeveria, Kuvendi dhe organet tjera politike zhvishen nga kompetencat e ndërhyrjes në shërbimin e pavarur civil të Kosovës, sepse Kushtetuta, një kompetencë të tillë, i’a ka dhënë vetëm këtij Këshilli si institucioni i pavarur nga ndikimet politike”, thuhet ndër të tjera në lëndën e dërguar në Kushtetuese.

Për më tepër, sipas PDK, anëtarët e Këshillit janë shkarkuar në mënyrë kolektive, përkundër faktit të pakontestueshëm që anëtarët e këtij insitucioni, zgjedhen individualisht në një procedurë të përcaktuar qartësisht në Kuvend.

“Kjo përmbën shkelje edhe të procedurës e cila është ndjekur për shkarkimin e tyre. Po ashtu, vendimi për shkarkimin (ndërprerjen) e mandatit të anëtarëve të Këshillit është kundërkushtetues sepse me rastin e shkarkimit nuk janë përmbushur asnjë nga kushtet e paraparë në nenin 15 (Ndërprerja e mandatit të anëtarit të Këshillit) të Ligjit Nr.06/L- 048. Aq më tepër, që pikërisht dispozitat e këtij ligji i janë nënshtruar kontrollit në Gjykatën Kushtetues, (shih: aktgjykimi në rastin KO171/18) ku përveç tjerash, neni 11 paragrafi 3, relevant për rrethanat e rastit konkret, që ju garanton imunitet funksional kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit, u vlerësua në tërësi në pajtim më kushtetutën”, thuhet në shkresën e PDK-së dërguar në Kushtetuese, ku po ashtu theksohet se Kuvendi me vendimin e tij, ka vepruar në kundërshtim me garancionet e dhëna më ligj me më këtë aktgjykim.

Grupi Parlentar i PDK-së ka paralajmëruar qysh në fillim të kësaj legjislature se do ta monitorojnë dhe denoncojnë cdo shkelje të pushtetit aktual me shkelje të shumta dhe punësime familjare.

GP-PDK ka bërë të ditur se këtë kërkesë e bën më qëllimin e mbrojtes së rendit kushtetues e insitucioneve të pavarura, dhe nuk ka për qëllim që të njëjtën ta përdorë për qëllime politike. Dhe këtë e argumenton edhe fakti se pikërisht këta anëtarë janë zgjedhur nga Kuvendi, në tetor të vitit 2020, periudhë në të cilën PDK ishte në opozitë.