Anglia dhe Danimarka kanë siguruar sot kualifikimin në gjysmëfinale të Euro 2020.
Për të arritur deri këtu Anglia dhe Danimarka eliminuan Ukrainën dhe respektivisht Çekinë në çerekfinale të Kampionatit Evropian, shkruan GazetaBlic Sport.
Danimarka fitoi me rezultat të ngushtë 2-1 ndaj Çekisë.
Golat në këtë takim i shënuan, Delaney, Dolberg dhe Patrik Schick.
Në anën tjetër Anglia mposhti lehtësisht Ukrainën me rezultat 4-0.
Llogarinë e golave e hapi sulmuesi i Tottenham, Harry Kane i cili shënoi pas asistimit të Sterling në minutën e 5’të të takimit.
Për të dyfishuar epërsinë shënoi Harry Maguire në minutën e 46’të të takimit.
Golin e dytë personal dhe të tretin për Anglinë e shënoi Harry Kane në minutën e 50’të të takimit pas asistimit të Luke Shaw.
Për golin katërt për “Tre Luanët” u përkujdes kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson i cili shënoi me kokë pas harkimit nga korneri në minutën e 63’të të takimit.
Ndeshja Angli – Danimarkë do të luhet me 7 korrik në ora 21:00 në Wembley të Londrës.
/GazetaBlic Sport/


