Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës –KPMSHCK ka pezulluar ekzutimin e Vendimit të Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik deri në shqyrtimin kryesor dhe vendosjen e ankesës.
Kryetari i Vitisë, Sokol Halili ka dhenë një dëshmi të rrejshme vetëm që t’i kthehet licenca e prokurimit, menaxherit të prokurimit Fadil Abazi, e cila i ishte revokuar para disa ditëve nga Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik. Kryetari Haliti ka shkruar në letër, e cila është futur në ankesën e përfaqësuesit ligjor të Fadil Abazit se “Për shkak se në komunën tonë nga të gjithë të punësuarit, me licencë për prokurim është certifikuar vetëm zoti Abazi dhe duke pasur parasysh nevojën për zhvillimin e procedurave dhe lidhjen e kontratave kapitale që kemi të buxhetuara për vitin 2021, kërkojmë nga organi administrativ që konform dispozitave ligjore të procedurës së përgjithshme administrative të bëjë pezullimin e vendimit për revokim të Licencës z. Fadil Abazi duke mos paragjykuar përfundimin e gjykimit të çështjes nga organi në fjalë”, thuhet në provën e ankesës së Abazit, e cila është paraqitur edhe në shkresën e Kryetarit të Komunës së Vitisë përmes së cilës i njëjti mbështet kërkesën për pezullim të ankuesit.
Lajmi.net ka gjetur se aktualisht janë edhe dy persona të licencuar me certifikatë profesionale të prokurimit të cilët punojnë në Komunën e Vitisë, njëri nga ta është zyrtari Hajrush Kurteshi.
Dëshmia e rrejshme nga zyrtari publik është e dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen Kuvendit të Komunës së Vitisë e cila është mbajtur para një jave, nënkryetari i komunës, Hasan Aliu kishte thënë se menaxherit të prokurimit i është kthyer certifikata.
Gazeta ka kontaktuar nënkryetarin Hasan Aliu të cilit i ka parashtruar vetëm dy pyetje: “ a i është kthyer licenca menaxherit Abazi dhe se a ka persona tjerë te licencuar me certifikatë në prokurimin komunal”. Ai ka konfirmuar se ka edhe persona tjerë që kanë certifikatë të prokurimit.
“Po licenca i është rikthyer nga KPMSHCK. Janë edhe një ose dy zyrtarë tjerë të prokurimit të cilët kanë certifikatë të prokurimit. Mos më kapni për fjalë, por e di që pos Abazit ka edhe tjerë”, ka thënë nëpërmjet telefonit nënkryetari Aliu.
Bordi i KRPP-së, i cili ka revokuar certifikatën është befasuar me deklaratën e kryetarit të Vitisë në KRPP dhe me vetë vendimin e KPMSHCK, i cili është marrë pa u konsultuar me ta.
Ergin Kale, anëtar i Bordit të KRPP ka konfirmuar se edhe një zyrtar tjetër është certifikuar në vitin e kaluar bashkë me Abazin, por nuk e di nëse i njëjti punon akoma në komunë.
“Ankesa që ka parashtruar menaxheri i prokurimit për ne është në rregull. Problemi qëndron diku tjetër, te Këshilli që ka marrë vendim për pezullimin e vendimit tonë. Kjo pasi Këshilli është bazuar në atë që kryetari i Vitisë kërkon, siç ka thënë ai” për shkak se në komunën tonë nga të gjithë të punësuarit tonë në prokurim është i certifikuar vetëm Fadil Abazi, dhe duke pasur parasysh nevojat për lidhjen e kontratave për projektet kapitale që kemi të buxhetuar për vitin 2021, kërkojmë nga organet administrative që në formë të dispozitave ligjore të prokurës së përgjithshme të bëhet pezullimi i vendimit”. Këtu e kemi konfimimin që edhe Hajrush Kurteshi është trajnuar dhe certifikuar vitin e kaluar për prokurim”, ka thënë Kale.
Ai thotë se këtë punë nuk do ta lë me kaq.
“I gjithë vendimi për pezullim është marrë që mos të ndalet puna në Komunë, pasi nuk ka tjetër zyrtar të licencuar. Edhe mos të ishte askush, puna në komunë do të mund të vazhdonte. Zoti Abazi mund të marr pjesë si punëtor i prokurimit, por nuk ka të drejtë të nënshkruajë. Për nënshkrim përsëri lejohet që mund të kërkojë prej një autoriteti tjetër kontraktues. Në të njëjtën ditë që është certifikuar zoti Abazi është certifikuar edhe zoti Kureshi, ndoshta zoti Kurteshi nuk punon më në Komunë, por siç pashë unë ata janë licencuar në të njëjtën kohë. Madje, aty figuron edhe nënshkrimi i kryetarit Sokol Halili. Në këto informata do ja dërgojmë këshillit në mënyrë që ata të rishqyrtojnë edhe njëherë vendimin”, tha ai.
Sipas tij, është e paarsyeshme që të anulohet vendimi i Bordit dhe t’i kthehet licenca këtij zyrtari, pasi ata qe e kanë marr vendimin është dashur të shohin edhe peshën e veprës.
“Meqë ne jemi rregullativ i prokurimit publik, Këshilli është dashur që të na pyet edhe ne, p.sh të na thonë, pasi ju ja keni marrë certifikatën, çka do të bëhet me projektet kapitale të komunës, dhe ne do ta sqaronim këtë. Pastaj është dashur të na pyesin për peshën e shkelja, apo çfarë lloj shkeljesh ka bërë, se ne e ia kemi revokuar certifikatën, pas disa shkeljeve që ai ka bërë. Pra, Këshillit nuk i ka interesuar fare shkelja dhe lloji i saj se çfarë ka qenë, vetëm e ka marrë për bazë kërkesën e kryetarit që bllokohen punët. Pra, siç e ceka edhe më lartë në do ta rishikojmë përsëri këtë punë, sepse kjo nuk mund të përfundojë kështu”, shtoi tutje Kale.
Këshillii i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në një prononcim për lajmi.net kanë bërë të ditur lidhur më veprimet e ndërmarra në këtë rast.
“Personi i cili ka parashtruar ankesë në KPMSHCK, lidhur me anulimin e certifikatës së prokurimit, nga ana e KRPP-së, është menaxheri i prokurimit në Komunën e Vitisë z. Fadil Abazi, i cili përmes përfaqësuesit të tij ligjor ka parashtruar ankesë në Këshill me datë 10.06.2021 me kërkesën për pezullim e ekzekutimit të vendimit të Bordit të KRPP-së të datës 31.05.2021 sipas të cilit ankuesit i anulohet Çertifikata e avancuar profesionale për prokurim dhe po ashtu së bashku me provat e bashkangjitura të lëndës, ankuesi ka bashkangjitur edhe shkresën e Kryetarit të Komunës së Vitisë përmes së cilës i njëjti mbështet kërkesën për pezullim të ankuesit me arsyetimin se në komunën e Vitisë nga të gjithë të punësuarit me licencë për prokurim është i certifikuar vetëm z. Fadil Abazi, ndërsa me anulimin e certifikatës pamundësohet zhvillimi i procedurave dhe lidhja e kontratave për projektet kapitale që kemi të buxhetuara për vitin 2021. KPMSHCK pas administrimit dhe shqyrtimit të provave të lëndës të ofruara nga palët në procedurë, në pajtim me nenin 6 paragrafin 1 nën paragrafi 1.1 si dhe nenin 18 paragrafin 1 nën paragrafin 1.9 të Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe nenin 130 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative ka nxjerr vendim me datë 21.06.2021 me të cilin e ka aprovuar vetëm kërkesën e ankuesit z. Fadil Abazi për pezullim e ekzekutimit të vendimit të Bordit të KRPP, ndërsa nuk ka vendosur për ankesën e tij”, thuhet në përgjigjen e në KPMSHCK-së.
Këshilli bënë të ditur se vendimi ka karakter të përkohshëm dhe se në ankesën e Abazit nuk është dhënë vendim akoma.
“Andaj për vëmendje tuaj ritheksojmë se, KPMSHCK të Kosovës nuk ka pranuar ankesë nga ana e kryetarit të Komunës të Vitisë, ndërsa vendimi i datës 21.06.2021 me numër A.nr.526/2021 i Këshillit ka karakter të përkohshëm dhe nuk është përfundimtar në procedurë, rrjedhimisht efekti i tij siç është specifikuar në pikën I të dispozitivit është deri në momentin e shqyrtimit të ankesës së datës 10.06.2021 siç përcaktohet me dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nenit 17 paragrafi 1 i cili përcakton se: “Këshilli brenda afatit prej dyzetë e pesë (45) ditësh nga dita e pranimit të ankesës, nxjerr vendim duke e arsyetuar bazën ligjore dhe faktike të vendimmarrjes”, ndërsa vendimi në fjalë ka përmbajtur edhe Këshillin Juridike për palët: “Kundër vendimit të Këshillit, pala e pakënaqur e cila pretendon se vendimi i Këshillit nuk është i ligjshëm mund të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative, brenda afatit prej tridhjetë (30 ditësh, nga dita në të cilën i është dorëzuar vendimi. Inicimi i konfliktit administrativ nuk e ndalon ekzekutimin e këtij vendimi””, thuhet tutje në përgjigjen e KPMSHCK-së.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik – KRPP ia ka revokuar certifikatën e prokurimit menaxherit të prokurimit të Komunës së Vitisë, Fadil Abazi, për shkelje të shumta që ai i ka bërë në procedurën e prokurimit për tenderin “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq –Kaçanik –Faza e II”.
Lajmi.net ka raportuar disa herë lidhur me shkeljet që janë bërë në këtë projekt.