Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka konsideruar 100 ditët e qeverisjes së tij – mjaft të suksesshme.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kurti ka thënë që gjatë këtyre tre muajve, të rikthimin në qeverisje, është realizuar me suksesi premtimi bazë që është dhënë – menaxhimi i pandemisë.
“Sot, janë bërë 100 ditë të qeverisë që doli si rezultat i zgjedhjeve plebishitare të 14 shkurtit dhe jam i lumtur të ndaj me ju progresin e shënuar këta tre muaj. Në këto 100 ditë, ne kemi marrë 144 vendime dhe kemi kaluar projektligje dhe dokumente të rëndësishme. Kur e bëmë betimin në Kuvend më 22 mars, thamë që prioritet është menaxhimi i pandemisë, në mënyrë që të shpëtojmë jetë njerëzish që po i humbnim si pasojë e keqqeverisjes më shumë se nga pandemia”.
Kryeministri Kurti ka thënë që këtij suksesi sipas tij duhet t’i gëzohemi të gjithë.
“Vaksinat janë siguruar. Ky është sukses të cilit duhet t’i gëzohemi të gjithë, pasi sot ndjehemi më të sigurt që të takojmë njëri – tjetrin. Natyrisht se sot për shkak se situata me pandeminë është kaq e mirë nëse e kthejmë shikimin 100 ditë prapa e kuptojmë dhe me kënaqësi raportojmë që pandemia është menaxhuar me sukses dhe së bashku kemi përmbushur premtimin bazë për qytetarët”.
“Pandemia ende nuk ka mbaruar dhe rreziku nga virusi mbetet i pranishëm. Pas pandemisë, janë dy tema të cilat i kam përsëritur shpesh dhe ato janë drejtësi dhe punë”, tha tutje Kurti.
Ai ka thënë se në buxhetin e ardhshëm Qeveria ka planifikuar një pako të re për ringjallje ekonomike.