Lajme

Pas 20 vitesh, Gjermania tërheq trupat ushtarakë nga Afganistani

06/30/2021 13:00
nga:Y I

Gjermania ka tërhequr tërë trupat ushtarake nga Afganistani, pas gati 20 viteve në betejë.

Mbi 150 mijë ushtarakë burra dhe gra shërbyen në zonat e konfliktit që prej vitit 2001 në kuadër të aksionit ndërkombëtar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Amerikë.

59 prej tyre u kthyen pa jetë nga fushëbeteja dhe misioni konsiderohet një nga më vdekjeprurësit për forcat e vendit pas Luftës së Dytë Botërore.

Në njoftimin për shtyp, Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë theksoi se largimi zyrtar i trupave nga Afganistani u krye të martën në orën 21:24 të mbrëmjes, dhe pas ndalesës në Gjeorgji, mbërritën në vendlindje ditën e mërkurë.

Në vijim do të punohet për kthimin e gati 800 kontejnerëve me aparatura, 120 automjete dhe gjashtë helikopterë.

Mësohet se në Afganistan shërbenin ende rreth 600 ushtarë gjermanë, pjesë e një kontingjenti prej gati 10 mijë ushtarësh gjithsej nga NATO-ja.

Numër të konsiderueshëm trupash kanë edhe shtetet si Britania, Italia dhe Turqia, ndërkohë që Danimarka, Estonia dhe Spanja janë tërhequr.

SHBA-ja si nismëtarja e misionit ka planifikuar largimin nga Afganistani brenda datës simbolike të 11 shtatorit.