Ndryshime të njëpasnjëshme pati në kuadër të strukturave të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës e cila ndër vite arriti të renditet si një prej institucioneve më të besueshme në vend, shpesh herë u ndesh edhe me probleme të brendshme.
Raportime për keqpërdorim të detyrës zyrtare e probleme të tjera bën që të jenë të shumtë emrat e policëve të cilët u gjendën para suspendimeve apo edhe prapa grilave të burgjeve të Kosovës.
Por jo vetëm kaq.
Në kuadër të Policisë së Kosovës ndryshime pati edhe në drejtimin e drejtorive të ndryshme, por edhe nga ata që për vite me radhë drejtuan detyra tejet të rëndësishme në kuadër të këtij institucioni.
Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar Policinë e Kosovës, të cilët si shpesh herë zgjodhën që të mos jenë konkret në përgjigjet e tyre.
Zyra e Informimit të Policisë së Kosovës thjesht bëri të ditur se në kuadër të strukturimit të saj, Policia e Kosovës ka mbi 9 mijë punonjës dhe se sipas tyre në bazë të nevojave operacionale dhe strukturës organizative të PK-së personeli caktohen apo sistemohen në detyra.
“Policia e Kosovës në kuadër të strukturimit të saj ka mbi 9.000 punonjës dhe sipas nevojës operacionale dhe strukturës organizative të PK-së personeli policor caktohen/sistemohen në detyra”, u tha në përgjigjen e PK-së.
Të njëjtit deklaruan poashtu se varësisht nga nevojat e plotësimit të strukturës organizative, nevojën operacionale dhe proceseve të brendshme të gradimit, bëhen edhe caktimet në detyra deh lëvizjet nëpër pozita të cilat ndodhin ndër vite.
Por në Policinë e Kosovës shpesh herë ndryshimet nuk janë të rastësishme.
Bujë të madhe së fundi bëri edhe ndryshimi i pozitës së Nazim Sahitit. Sahiti i cili për disa vite radhazi drejtori Drejtorinë për Krime Ekonomike në Prishtinë tash e tutje do të jetë vetëm këshilltar në Drejtorinë Rajonale Policorë të Prishtinës.
Por kjo nuk është hera që Nazim Sahiti degradohet nga pozita në hierarkinë policore.
Në vitin 2018, i njëjti ishte shkarkuar nga kjo pozitë për t’u transferuar më pas në pozitën e zyrtarit të Departamenti për Kufij.
Në këtë pozitë, Nazim Sahiti kishte qëndruar deri në fillim të këtij viti. Sahiti ishte ankuar më pas në Gjykatën Themelore, por e njëjta nuk kishte vendosur në favor të tij për t’ia mundësuar kthimin në pozitën e mëhershme.
Sahiti nuk ndaloi me kaq. I njëjti u ankua edhe në Gjykatën e Apelit, e cila kishte marrë vendim që i njëjti të kthehet në pozitën paraprake, në Drejtor të Krimeve Ekonomike, ku u kthye në fillim të vitit.
I njëjti ishte i përfshirë edhe në rrahjen e ish-drejtori të PTK-së, Agron Mustafa.
Ndryshimet në kuadër të Policisë së Kosovës janë bërë dukshëm më të mëdha pas ndërrimit të qeverisjes.
Me ndryshimet në Qeverinë e Kosovës, filluan dukshëm edhe ndryshimet në kuadër të institucionit të PK-së.
Ndryshime sot pati edhe në stacionin policor të Podujevës. Isak Ejupi i cili ishte Komandant i Stacionit Policor të kësaj komune, por tashmë në vend të tij është emëruar Major Nijazi Jashari.
Ejupi tash e tutje do të jetë shef i Sektorit të Operativës në Drejtorin për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve.
Kësisoj në bazë të deklarimeve nga Policia e Kosovës mbetet të kuptohet se 9 mijë zyrtarët policorë të Kosovës nuk janë të “paprekshëm” dhe se secili prej tyre nga dita në ditë mund të lëviz nga pozita të cilën mbanë. Në fund të fundit zyrtarët e këtij institucioni vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve.
Përpos kësaj duhet përkujtuar që gjatë vitit të kaluar gjithsej 208 punonjës të Policisë së Kosovës ishin subjekt i hetimit nga Inspektorati Policor i Kosovës. Kthyer në përqindje i bie se 2.3% e punonjësve policor janë hetuar nga IPK-ja.
Gjatë të njëjtës kohë, IPK ka realizuar 32 arrestime të punonjësve policorë të dyshuar për vepra penale.
Përveç kësaj gjatë të njëjtës periudhë kohore, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e 83 zyrtarëve policorë dhe ka bërë një transferim.