Lajme

Parashikimi i motit: Nesër në Kosovë rrebeshe shiu, java e ardhshme sërish me temperatura të larta deri në 37 gradë celsius

06/25/2021 23:50
nga:Gazeta Blic

Në fundjavë mbi vendin tonë do të ketë rënie të lehtë e temperaturave, të shtunën me mundësi për rrebeshe shiu. Në fillim të javës sërish mot shumë i nxehtë dhe kryesisht me diell.

Sipas Prishtina Weather, i nxehti afrikan, që përfshiu vendin ditëve të fundit, në fundjavë shkurtimisht do të tërhiqet nga Mesdheu, ngase mbi rajon do të depërtojnë masa diç më të freskëta ajrore, që zbresin lehtë temperaturat.

Ditën e shtunë vende-vende parashihen edhe zhvillime të rrebesheve me bubullima. E nga e diela dhe ditëve të para të javës pritet të mbajë mot kryesisht me diell, derisa temperaturat sërish mund të arrijnë deri në 35C ditën e martë dhe mërkurë.

Sipas parashikimeve të fundit, në fundjavën e ardhshme, ka gjasa për rënie më të theksuar të temperaturave, por edhe me mundësi për të reshura shiu.

Indeksi i cilësisë së ajrit në ditët e ardhshme, pritet të përmirësohet, e të zbres edhe në vlera të pranueshme, vende-vende edhe në të mira, ngase edhe pluhuri saharian do të shpërndahet në jug të rajonit, meqë pritet të depërtojnë masa më të freskëta ajrore nga Evropa Qendrore.

Indeksi i rrezeve UV mbetet në vlera shumë të larta, prandaj në këto ditë preferohet t’i shmangemi qëndrimit më të gjatë në rreze të diellit përgjatë orëve të mesdites.

26.06 – Mbetet mot i nxehtë. Paradite me diell. Gjatë ditës pritet shtim i vranësirave, e vende-vende me rrebeshe me bubullima.

27.06 – Kryesisht me diell. Pasdite përreth viseve malore me zhvillime të vranësirave, e më vonë me mundësi për ndonjë rigë lokale shiu.

28.06 – Nxehtë e kryesisht me diell.

29.06 – Shumë nxehtë e kryesisht me diell.

30.06 – Shumë nxehtë, pasdite me zhvillime të vranësirave, e përreth viseve malore me mundësi për rrebeshe të shkurta shiu.

Temperaturat gradualisht në zbritje nga dita e premte, minimalet luhaten nga 16C deri 19C, e maksimalet nesër arrijnë vlerën më të lartë prej 37C, e deri të dielën zbresin në 30C.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare nga kryesisht nga perëndimi e jugperëndimi, e ditën e shtunë edhe nga veriu 4-10m/s.

Shtypja atmosferike me një tendencë të rënies ditën e premte, e më pas në rritje të lehtë.