Lajme

Abelard Tahiri: Angazhimi kryesor i qeverisë Kurti kanë qenë punësimet familjare

06/25/2021 16:24
nga:Y I

Ka dështuar mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në mungesë të kuorumit.

Ndërsa, opozita ka kritikuar mazhorancën për mungesën e tyre në këtë mbledhje, si dhe për punësimin e familjarëve të tyre nëpër institucionet e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se në vazhdimësi po shihet një degradim i institucioneve të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Sot dështoi që të mbahet një mbledhje e tillë. Pra ky koalicion i këtij 50 përqindshit të madh “krejt dhe drejt”, ka filluar që vërtet krejt t’i degradojë institucionet e Republikës së Kosovës. Ju e shini mos arritjen e kuorumit, mos ardhjen e kryetarit të kuvendit në një kuvend që do të duhej me prioritet të madh të trajtojë shumë problematika dhe çështje që do të duhej të vinin edhe nga Qeveria e Kosovës, dështon në mënyrën më të keqe të mundshme “, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, përveç shkarkimeve masive, nuk është parë asnjëherë një ndërmarrje më të madhe të punësimeve familjare dhe mbi baza partiake, duke shtuar se nuk i mohojnë keqpërdorimet e mundshme edhe në të kaluarën për të cilat i bëri thirrje drejtësisë që të trajtohen me prioritet

“Angazhimi më i madh i kësaj qeverie gjatë këtyre 100 ditëve ka qenë punësimi familjarë, ka qenë punësimi jo shumë i militantëve sa ka qenë punësimi familjarë të tyre, pra shohim një angazhim në punësimin e familjarëve. Edhe Kuvendin e kanë kthyer në shërbim të punësimeve familjare“, tha ai.

Tahiri i bëri thirrje prokurorisë që t’i hetojë abuzimet që janë duke u bërë nga kuvendi dhe në secilin institucion dhe ministri të Kosovës.