Pas vendimit për largimin nga misioni diplomatik të të gjithë ambasadorëve të emëruar me çelës politik, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mësohet se janë duke shqyrtuar emrat e personave për ambasadorë të rinj në vendet që kanë mbetur vakante.
Sa i përket emërimit të ambasadorit/es së Kosovës në Britaninë e Madhe, deri më tani janë dhënë dy emra konkret.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Koordinatori i Qendrës së Mërgatës së Lëvizjes Vetëvendosje në Britani të Madhe, Agim Morina, janë përmendur si dy emra të mundshëm për t’u emëruar ambasador në Britaninë e Madhe.
Gazeta Blic merr vesh se se në mesin e dy-tri propozimeve për ambasador në Londër, profesori Agim Morina i ka më së shumti mundësitë.
Por, gjasat reale për këtë post, i ka edhe deputetja Fitore Pacolli.
Agim Morina është gjuhëtar, artist, poet, dhe profesor nga Prizreni, i mërguar në Londër prej viteve të 90-ta. Për më shumë se dhjetë vite ka punuar si mësues i gjuhës shqipe për të huaj në kompani të ndryshme dhe si mësues i jashtëm në Shkollën Diplomatike për Gjuhë të Huaja në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe.
Ai është aktivist dhe përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje në Londër.