Sporti

Prishtina kërkon që ndeshjet ndërkombëtare të luhen me publik, Ejupi vjen me premtim të madh

06/21/2021 14:34
nga:Lorik J

Prishtina për herë të parë në histori të saj do të prezantohet në Ligën e Kampionëve.

“Bardhekaltrit” në fakt vazhdimisht kanë marrë pjesë në arenën ndërkombëtare, por jo në Ligën e Kampionëve.

Ky është një rast historik edhe për tifozët “bardhekaltër” që ta ndjekin ndeshjen në nivele të tilla, andaj drejtuesit e FC Prishtinës për të mos ua humbur këtë mundesi të artë po kërkojnë nga qeveria e vendit, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë që ndeshjet ndërkombëtare t’i zhvillojnë me publik, derisa vetë klubi do t’i merr të gjitha masat për t’u respektuar në përpikëri masat anti-Covid.

Presidenti i klubit më të trofeshëm kosovar, Remzi Ejupi në një bisedë për Demokracia.com ka thënë se ata janë gati që në pako se bashku e biletën ta fusin edhe testin anti-Covid.

“Presim nga institucionet tona që ndeshjet ndërkombëtare që i luajmë në Prishtinë te na i mundesojnë t’i zhvillojmë me praninë e publikut. Sigurisht që ne do t’i respektojmë të gjitha masat anti-Covid, derisa në pako me biletën do t’ua mundësojmë publikut ta kryejnë edhe testin për koronavirus, ku pagesa do të jetë minimale. Këto ndeshje janë të një rëndësie të veçantë andaj do të ishte mirë edhe në imazh të vendit të zhvillohen me publik. Prishtina e merr përsipër të organizohet ndeshja duke i respektuar në përpikëri masat kundër virusit Covid-19” , ka thënë presidenti i klubit bardhekaltër, Remzi Ejupi.

Prishtina pas ndeshjeve paraeliminatore që i zhvillon në Elbasan në raundin e parë, gjithmonë nëse kualifikohet, do të ndeshet me gjigantin hungarez Ferencvarosh, andaj një ndeshje e tillë do të ishte mekat të luhet pa publik.

Të kujtojmë se edhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tashmë ka bërë kërkesë në instutucionet shendetësore që të lejojen tifozët në tribuna.