Profesori universitar, Blerim Latifi ka komentuar deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, i cili ka thënë se Kosova ka detyrim që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai tha se historia nuk ka nisur në ditën kur u formua Qeveria e Albin Kurtit.
Latifi thotë se me këtë deklaratë të Kosnett, amerikanët nuk pajtohen me idenë e Albin Kurtit për një fillim të ri në çështjen e dialogut.
Latifi shton se kryeministri Kurti ka dy alternativa, të gëlltis premtimin e tij për fillimin e ri dhe të vazhdoj punën që po ia kërkojnë amerikanët ose t’u rezistoj edhe njëherë atyre dhe vendi të niset drejt zgjedhjeve të reja.
“Ata po kërkojnë që Kurti të vazhdoj aty ku e kanë lënë paraardhësit e tij kryeministra. Natyrisht, kjo bie në kontradiktë të plotë me ato që ka premtuar Kurti. Në këtë situatë Kurti i ka përpara dy alternativa: të gëlltis premtimin e tij për fillimin e ri dhe të vazhdoj punën që po ia kërkojnë amerikanët ose t’u rezistoj edhe njëherë atyre dhe vendi të niset drejt zgjedhjeve të reja! Zgjedhja në këtë dilemë do të varet nga ajo që Kurti do ta gjykoj si të keqën më të vogël për të”, shkroi Latifi në Facebook.
Ai thotë se ka mundësi që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje.
“Mundet fare lehtë që të kemi një vjeshtë të nxehtë elektorale dhe rrjedhimisht edhe riciklimin e krizave politike që i kemi parë vit pas viti, tash e një kohë të gjatë”.
Ndërsa diplomati amerikan sot gjatë ditës ka thënë se nuk do të ketë shumë hapësirë për përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse të dy palët nuk janë të gatshme për kompromis.