Lajme

Vuçiq: Kuvendi i Serbisë diskuton për Kosovën më 22 qershor

06/16/2021 15:07
nga:Q R

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kuvendi i Serbisë, më 22 qershor do të mbajë një seancë, në të cilën do të flitet “detajisht” për dialogun me Kosovën.

Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq tha se në këtë seancë do të diskutohet për “çdo çështje me rëndësi për situatën në Kosovë” dhe se ai do t’i paraqesë planet dhe idetë e Serbisë.

Të martën, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në takimin e parë të tyre u shprehën vetëm qëndrimet dhe pritjet e palëve, ndërsa u arrit pajtim vetëm për mbajtjen e takimit të radhës në muajin korrik.

Vuçiq tha përsëriti se pala kosovare të martën në Bruksel u paraqit me dëshirë që ta detyrojë delegacionin serb të braktis bisedimet që të mos ketë dialog.

“Gjithçka që kanë bërë, kërkuar ose folur tregonte se dëshirojnë të shmangin bisedimet”, tha Vuçiq.

Ai tha se Serbia refuzoi njohjen e Kosovës, por edhe propozimin për deklaratën e paqes.

Vuçiq po ashtu tha se gjatë javës së ardhshme do të mbahen “disa takime të mëdha me serbët e Kosovës”.

Kurti, pas takimit me Vuçiqin, tha se arritja e marrëveshjes me Serbinë do të jetë e vështirë, por shtoi se nuk është pesimist se një gjë e tillë nuk mund të realizohet.

Ai tha se marrëveshja përfundimtare duhet të përfshijë njohje të ndërsjellë dhe të finalizohet sa më shpejt.

LEXO EDHE:

Flasin nga LDK dhe PDK: Kjo është arsyeja e bojkotimit të mbledhjes së parë të KQZ-së me kryetar të ri