Lajme

AAK: Nuk morëm pjesë në mbledhjen e KQZ-së, pasi kishte manifestim në Deçan

06/16/2021 12:26
nga:Gazeta Blic

Anëtari i AAK-së në Komisionin Qendror Zgjedhor, Ibrahim Selmanaj, në një bisedë për Gazeta Blic, tha se arsyeja pse nuk mori pjesë në mbledhjen e parë të KQZ-së, pas emërimit të kryetarit të ri, është fakti që ka pasur angazhime në qytetin e Deçanit, në përvjetorin e çlirimit të qytetit.

Selmanaj tha se ka pasur manifestim në shënim të përvjetorit të çlirimit të Deçanit dhe kjo ka qenë arsyeja pse nuk ka mundur të jetë prezentë në mbledhje.

“Sot është dita e Çlirimit në Deçan. Kemi manifestime dhe organizime për shënimin e kësaj dite në Decan. Kjo ka qenë arsyeja pse nuk kam marrë pjesë. Tjetër arsye nuk kam”, ka thënë Selmanaj për Gazeta Blic.

Gazeta Blic ka folur edhe me anëtarët tjerë të opozitës, nga LDK dhe PDK.

Florian Dushi i LDK-së tha se ftesa për këtë mbledhje i ka shkuar vonë, përderisa arsyeja pse PDK e bojkotoi këtë mbledhje ishte politik.

Arianit Elshani nga PDK, tha se nuk janë pajtuar me mënyrën e shkarkimit të Valdete Dakës dhe emërimin në krye të KQZ-së, të Kreshnik Radoniqi.

Flasin nga LDK dhe PDK: Kjo është arsyeja e bojkotimit të mbledhjes së parë të KQZ-së me kryetar të ri