Glauk Konjufca dhe Albin Kurti, sot mbajnë postet më të larta të vendit, por është një problem me ta kur vjen puna t’i drejtohen njëri-tjetrit.
“Zakonisht pak gjëra në jetë më duken të vështira, por më vështirë po e kam t’i drejtohem Albinit kryeministër, bile menzi po mësohem kadalë-kadalë. Jemi mësuar me Albin. Kur po i them kryeministër po më duket si me i thënë më pak se Albin”, tha Konjufca në festën e ditëlindjes së partisë, njofton Klan Kosova.
Ndryshe nga kohërat e vjetra, Konjufca dhe Kurti sot u veshën në kostume për të shkuar te një vend shumë i dashur i tyre – shtëpia e themelimit të Vetëvendosjes.
“Vetëvendosje është themeluar pikërisht në këtë shtëpi dhe një kohë e gjatë ka kaluar, por nostalgjia po e bën të vetën”.
Postet dhe kostumet nuk ishin të rejat e vetme në shtëpinë e vjetër.
Për dallim nga atëherë, gazetarët po e dëgjojnë me shumë vëmendje historikun e partisë që u bë e para në vend.
“Më kujtohet kur në një konferencë shtypi ishim me Albinin dhe pas një kohe e pamë që kishim mbetur duke folë njëri me tjetrin, sepse gazetarët vraponin shpesh dhe na lënin. Sepse vinte policia, prandaj. Kanë qenë peripeci, por që vlejnë. Po e mashtroj veten se jam i ri edhe këto ditë, por po e vërtetoj se jam njëfarë veterani, kur po ju shoh juve gazetarëve dhe vetëm njërin po e njoh që vinte në atë kohë”.
Konjufca tha se Vetëvendosja është një trashëgimi shumë e rëndësishme politike për Kosovën, duke shtuar se partia ka dalë nga gjiri i popullit.
“Vetëvendosje është nga qytetarë tipikë të shtresave të ndryshme të popullit tonë që ka qenë gjithmonë me halle. Vetëvendosje kurrë s’ka pretenduar që po shpik diçka të re. Kemi qenë të vetëdijshëm se i përkasim një përpjekje të gjatë të popullit tonë për me qenë rahat në tokë të vet. Duam të jetojmë bashkë dhe rahat, pa probleme. Vetëvendosje ka qenë pa hile dhe prandaj është përqafuar nga populli shqiptar”.


