Lajme

“Liturgjia fetare e mbajtur në kishën ortodokse, provokim, Serbia nuk ka hequr dorë nga ndarja e Kosovës”

06/12/2021 18:10
nga:Y I

Dy ditë më parë, në kishën ortodokse serbe që ndodhet në oborrin e UP-së, u mbajt një liturgji fetare nga peshkopi Teodosije.

Kjo liturgji u mbajt pa lejen dhe dijeninë e autoriteteve kosovare.

Kështu konfirmoi vetë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku.

Edhe gjatë ditës së sotme dy autobusë me pelegrinë dhe alpinistë serbë ja mësynë Kosovës, por të njëjtit nuk u lejuan të kalojnë kufirin e Jarinjes nga policia kosovare.

Këto zhvillime të fundit po ndodhin në kohën kur pritet të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.

Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, të gjitha këto po i sheh si provokime të shtetit serb.

Kelmendi thotë se Serbia nuk ka hequr dorë asimilimi dhe ndarja e shtetit të Kosovës.

“Serbia është një shtet kriminal. Si i tillë nuk ka hequr dorë nga asimilimi i Kosovës ose ndarja e shtetit te Kosovës dhe coptimi i këtij territori Dardan. Këto janë edhe provokimet e shtetit serb.  Ajo fillon me deklaratën e Vucicit kur tha se ” nëse shkohet në Bruksel për të mos bërë kompromise është mirë të mos shkohet fare”. Kjo në njërën anë dhe, në anën tjeter, liturgjia serbe në Prishtinë dhe ngacmimet e tjera tregojne se me shtetin serb nuk duhet bërë kompromise’ tha Kelmendi për “Gazeta Blic”

Tutje Kelmendi rëndit temat që duhet të dialogohen me shtetin serb, duke filluar që nga gjetja e të zhdukurve dhe në fund njohja reciproke.

“Kosova është shtet dhe vetem si e tillë duhet të dialogohet. E dialogimi duhet për temat e reparacionit të luftës, dëmshpërblimi, gjetja e të zhdukureve, kthimi i mjeteve financiare të vjedhura nga shteti serb dhe pergjegjësia penale e Serbisë. Natyrisht dhe njohja reciproke. Jane këto tema qe dalin nga lufta dhe nga raporte e krijuara me Beogradin dhe ato duhen kërkuar në tavolinë.Asnjë temë tjeter nuk duhet caktuar ne diskutim me shtetin serb” tha ai për “Gazeta Blic”

Pas liturgjisë së mbajtur në kishën ortodokse serbe pati reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit, ku kjo meshë u cilësua si provokim.

Në lidhje me këtë ngjarje, ka reaguar sërish gjatë ditës së sotme, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

Çeku në reagimin e tij në Facebook tha se Kisha Ortodokse Serbe performoi liturgji politike që është shkelje e ligjit dhe nxit konflikt.

“Organizimi i liturgjive politike ju bën Kishë politike. Si e tillë, në vend që të bashkosh njerëzit, ti nxit konflikt. Zoti i përjetshëm na urdhëron të kërkojmë paqe. Ndjekja e udhëzimeve të ‘zotave politikë’ është recetë për fatkeqësi, SOC duhet të kishte marrë mësimin e saj nga vitet 1990” shkruan ministri Çeku në Facebook.

Dialogu Kosovë-Serbi rifillon me 15 qershor kur edhe pritet të takohen në Bruksel, kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq. /Gazeta Blic/

Kthimi i dy autobusëve në Jarinje: Serbët flasin për atë çfarë ndodhi në pikën kufitare

Takimi i 15 qershorit Vuçiq: Kurti vjen në Bruksel për show, unë për popullin tim në Kosovë

Hajrulla Çeku: Kisha Ortodokse Serbe performoi liturgji politike që është shkelje e ligjit dhe nxit konflikt