Lajme

BE tregon detajet për takimin Kurti-Vuçiq

06/11/2021 19:35
nga:Gazeta Blic

Brukseli do të jetë mikpritës i takimit të parë të kryeministrit kosovar Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 15 qershor në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Për këtë ngjarje Bashkimi Europian, si lehtësues i bisedimeve, ka lëshuar një komunikatë për media duke bërë të ditura disa detaje shtesë, njofton Klan Kosova.

“Të martën, më 15 qershor, një takim i nivelit të lartë i dialogut Beograd-Prishtinë do të zhvillohet në Bruksel. Ai do të lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, i cili përkrahet në këtë nga Përfaqësuesi Special, Miroslav Lajçak. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të marrin pjesë. Do të lëshohet një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fillim të takimit më 08:20 dhe një deklaratë për media nga Përfaqësuesi Special pas përfundimit të takimit (rreth orës 13:00)”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti përballjen e tij të parë më Vuçiqin e ka cilësuar si një nisje të dialogut të ri dhe jo vazhdimësi i procesit të mëparshëm.