Kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës të premten ka raportuar lidhur me procesin e dialogut me Serbinë.
Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka kritikuar qeveritë e kaluara për qasjen e tyre ndaj dialogut me Serbinë.
“Ngecjet në implementim dhe përshtypja për ritmin shumë të ngadaltë dhe sfidues të normalizimit të raporteve kishin krijuar një terren të frytshëm për degjenerim të rrezikshëm të agjendave paralele dhe të koordinuara të palëve negociuese.
Përmes incidenteve në terren të kontrolluara, të koordinuara dhe me faza siç ishin fushata kundër pjesëtarëve të FSK-së nga komuniteti serb, vrasja e Oliver Ivanoviqit, arrestimi mbase i orkestruar i Gjuriqit i cili u lirua pa asnjë gjobë në fund, treni i famshëm serbo-rus, shëtitjet në Ujman dhe të ngjashme. Synohej pra me të gjitha këto krijimi i përshtypjes se normalizimi mund të arritej vetëm përmes ndarjes së Kosovës e cila pastaj popullit iu paketua si ide për shkëmbim territoresh”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, sot në rend dite në seancën e Kuvendit të Kosovës po diskutohet mbi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut me Serbinë.
Po ashtu në rend dite janë edhe propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për formimin e komisioneve parlamentare, shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020 dhe debat parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.