Sot gjatë ditës, Gazeta Blic raporti ekskluzivisht për dëshminë e deponuar të policëve të Kosovës në stacionin policore në Prizren dhe në Inspektoratin Policor, në lidhje me arrestimin e veteranit të UÇK-së, Faik Fazliu, pas rastit në kafiterinë “XL”, e që shkaktoi shumë reagime publike.
Për shkak të sjelljes së policëve, ish-anëtari i kryesisë së veteranëve, Faik Fazliu, ishte liruar në procedurë të rregullt, ani pse u arrestua për mosbindje ndaj urdhrit zyrtar, të paktën kështu raportohej.
Gazeta Blic duke u thirrur në burime të veta, e ka publikuar versionin e policëve të përfshirë në rast, me ç’rast ka nxitur reagimin e Faik Fazliut, i cili konsideron se policët nuk e kanë thënë të vërtetën.
Ani pse GazetaBlic e kishte kontaktuar disa herë përmes telefonit Fazliun, madje i kishte dërguar edhe mesazhe telefonike, lidhur me këtë çështje, megjithatë ai nuk kishte kthyer përgjigje para se të publikohej teksti.
Por, pak më vonë reagoi Fazliu.
Përmes një mesazhi, ai mohoi këto akuza, duke thënë se këto janë të pabaza dhe të trilluara vetëm për të mbrojtur veten.
“Janë gënjeshtra të gjitha, sepse ata i bëjnë për t’i mbuluar veprimet e tyre shtazarake. Të gjitha ju që i dyshoni ose që po tentoni mbase edhe të më njollosni, edhe më shumë i keni në video. Edhe nëse juve po ju intereson e vërteta ndryshe, merreni mundin dhe shkoni te lokali, pyetni ata të lokalit. Krejt ngjarja ka ndodhë kur muzika veç ishte ndalur, plus lokali ishte poathuajse i zbrazur, ndërsa nëse edhe ju dëshironi të bëheni pjesë e manipulimeve të atyre njerëzve të cilët ushtruan dhunë ndaj meje, më vjen keq për juve”, tha ndër të tjera Fazliu.
Ndërkaq, në linkun në vijim e gjeni tekstin e plotë, ku jepet versioni i policëve për ngjarjen që ndodhi para tri ditësh në Prizren.
/GazetaBlic/