Sporti

Igor Angelovski: Le të na cilësojnë si autsajder, kjo na motivon – jemi me meritë në Evropian

06/09/2021 12:58
nga:L J

Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut në futboll do të paraqitet në Kampionatin Evropian “Euro2020” për herë të parë në histori.

Fitorja ndaj Kosovës në Shkup dhe goli i Pandevit për fitoren historike ndaj Gjeorgjisë në Tbilisi, ia mundësoi Maqedonisë së Veriut të siguroj një vend për kampionatin evropian, “Euro2020”.

Pas dy ditësh do të startojë kampionati evropian “Euro2020”, ndërsa Maqedonia e Veriut do të përballet në fazën e grupeve me Austrinë, Ukrainën dhe Holandën.

Trajneri i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski shprehet krenar me arritjen e kombëtares së tij, ndërsa të gjitha meritat ia kushton futbollistëve, që sipas tij janë më meritorët për këtë arritje.

“Ndjehem i gëzuar dhe krenar pasi të jesh në krye të ekipit kombëtar që për herë të parë në historinë e saj kualifikohet në një Kampionat Europian është ëndërr për çdo trajner. Këtë ëndërr ma kanë mundësuar futbollistët dhe gjithë merita është e tyre”, tha fillimisht Igor Angelovski për ‘GazetaBlic Sport’.

Grupi C i kampionatit evropian, “Euro2020” është mjaft interesant, ndërsa trajneri i Maqedonisë së Veriut beson se Holanda është favorit i grupit të tyre.

“Gjitha përfaqësueset që kemi në grup janë cilësore dhe të trija kanë pasur edhe më parë pjesëmarrje në Kampionate Europiane. Normal nga këto tre përfaqësuese nëse do duhej të zgjedh një si favorit i grupit, sigurisht ajo është Holanda, por edhe dy përfaqësueset tjera kanë cilësi të madhe dhe është nder për ne që do garojmë me përfaqësuese të atij rangu”, vazhdoi trajneri i Maqedonisë së Veriut.

Në fund, Angelovski potencoi se është mjaft i lumtur që punon me këtë grup lojtarësh që po krijojnë atmosferë shumë pozitive.

Maqedonia e Veriut po cilësohet si aut-sajdere e grupit, por kjo nuk po i pengon aspak Igor Angelovskit, i cili tha se me meritë janë në Euro2020 dhe mund të përballen me të gjithë rivalët e grupit.

“Në radhë të parë dua të them se jam i lumtur që punoj me këtë grup lojtarësh që kanë krijuar atmosferë të shkëlqyeshme dhe më vjen shumë mirë se lojtarët që kanë cilësi të madhe si futbollistë janë edhe njerëz të mëdhenj me karakter fantastik dhe jam i lumtur të punoj me djemë të këtillë. A mund të jemi befasi? Realisht neve të gjithë na kanë cilësuar si out-sajder dhe le ta bëjnë këtë. Kjo nuk na pengon, përkundrazi na motivon për të treguar se me meritë jemi në Kampionat Europian dhe se mund të luajmë me gjithë këta rival që kemi në grup”, përfundoi Igor Angelovski.

/GazetaBlic Sport/