Lajme

IKSHPK konfirmon rastin e parë me variantin afrikan të koronavirusit në Kosovë, pacienti është duke u trajtuar në Klinikën Infektive

06/08/2021 09:17
nga:M K

IKSHPK tashmë edhe ka konfirmuar raportimet e mediave për rastin e parë me variantin afrikan të koronavirusit.

Para pak çastesh, përmes një komunikate për media, instituti kombëtar i shëndetit publik në vend ka thënë se pacienti është duke u trajtuar në Klinikën Infektive dhe se tani po gjurmohen edhe kontaktet, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe postimi i plotë.

Komunikatë për media
Në laboratoret e Mikrobiologjisë të IKSHPK, në baza ditore testohen mesatarisht mijëra mostra në ditë. Nga mostrat e testuara në SARS-CoV-2, është konfirmuar edhe një rast me variantin afrikan të SARS CoV-2: South Africa (S.A) Lineage B.11351 (N501Y) (WHO label: Beta).
Pacienti është i hospitalizuar dhe duke u trajtuar në Klinikën Infektive.
Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja.
Rastet e tilla të virusit mutagjen janë regjistruar tashmë në shumë vende të botës.
Ekipet hulumtuese të IKSHPK po gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut.
Masat parandaluese janë të njëjta. Personat të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!
Mbani në mend:
FYTYRA E MBULUAR ME MASKË!
DUART E PASTRA!
DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!

LEXO EDHE:

Konfirmohet rasti i parë me variantin afrikan të koronavirusit në Kosovë

/GazetaBlic/