Lajme

Hoxhaj doli kundër Degës në Drenas, duke e mbështetur Lladrovcin- vjen reagimi nga Ajazi: “Nuk e kam ndërmend të tërhiqem”

06/06/2021 21:15
nga:Gazeta Blic

I nominuari nga Dega e PDK-së në Drenas për kryetar komune, Driton Ajazi edhe pse nuk e ka mbështetjen e partisë në qendër, nuk e ka ndërmend që të tërhiqet.

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka theksuar dje se ai në këtë garë e mbështet Ramiz Lladrovcin, duke e “rrëzuar” vendimin e degës.

I kontakuar nga Gazeta Blic Ajazi ka theksuar se ai nuk do tē tërhiqet.

“Nuk e kam ndërmend të tërhiqem”, tha ai shkurt për Gazeta Blic.

Ajazi tha se ai është nominuar bazuar në statut dhe në organet e partisë.

Ndërkohë, PDK dje përmes një njoftimi të lëshuar për media thuhet se Ramiz Lladrovci do të jetë kandidati për kryetar komune.

Kreu në detyrë i PDK-së, ka thënë se ka qenë vendim i Kryesisë qendrore qysh në janar të këtij viti se PDK do të rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave ku qeverisë PDK.

Ai ka thënë se bashkë me deputetin nga Drenasi, Ferat Shala si dhe me kryetarin e degës Sejdi Hoxha, javën e kaluar kanë takuar anëtarët e Kryesisë së Degës së Drenasit dhe i kanë njoftuar edhe zyrtarisht për vendimin për kandidaturën e Ramiz Lladrovit për kryetar.

Ai ka ftuar anëtarë e PDK-së dhe gjithë qytetarët e Drenasit që ta mbështesin qeverisjen e PDK-së në këtë komunë.

“Meqë edhe sot ka interes nga mediat rreth kandidaturës në Drenas të zotit Ramiz Lladrovci, dua ta konfirmoj që javën e kaluar së bashku me deputetin Ferat Shala dhe kryertarin e degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, kemi takuar kryesinë e degës së Drenasit. Degës ia kemi konfirmuar qëndrimin e marr në Kryesinë qenderore të PDK-së të marr në janar për kandidaturën e zotit Lladrovci dhe kjo është temë e mbyllur. Qëndrim të njëjtë dhe të qartë kanë pasur edhe zoti Shala edhe zoti Hoxha në mbështetje të zotit Lladrovci për kryetar të Komunës së Drenasit. Ftoj të gjithë anëtarët e PDK-së dhe qytetarët e Drenasit që të mbështesin qeverisjen e mirë të PDK në Drenas dhe kryetarin Ramiz Lladrovci i cili radhitet si kryetari me performancën më të mirë në vend”, ka thënë Hoxhaj.