Opinion

Kur heshtja flet!

06/04/2021 20:51
nga:Arton Muhaxheri

Shkruan: Arton Muhaxheri

Njëzetë vitet e pasluftes më shumë se çkado tjetër na kanë mësuar se sa të pa cipë janë disa të drejtues të organizatave politike që në vazhdimësi kanë luajtur me ndjenjat dhe emocionet e qytetarëve, të cilat jo rrallë herë e kanë tejkaluar edhe pjesën njerëzore.

Nuk është e vështirë ta kuptoni se cila parti politike në Kosovë ka dominuar duke ngritur kauza të rreme dhe duke keqpërdorë fatkeqësi familjare vetëm për një copë pushtet, që fundi i fundit nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë i përhershëm për askënd.

Tek po kalojnë ditët kur Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet, qoftë në mandatin e parë 52 ditësh, qoftë tash në mandatin e dytë, ku i ka kaluar 70 ditët e qeverisjes, po vërejmë çdo ditë e më shumë tërheqje nga kauzat mbi të cilat nuk ka lënë gjë pa bërë, dhe nuk ka lënë gjë pa thënë kundër pushtetit të kaluar, dhe sot jemi në momentin kur asnjë fjalë nuk e thonë për asnjërën nga kauzat.
Sa shpejt i harruan të gjitha!

Por, nuk e kishte menduar askush asnjëherë se do ta harronte në terësi të pakten rastin e vdekjes së Astrit Deharit, ku prej kësaj fatkeqësie krijoi një kauzë kundër pushtetit të atëhershëm, madje pa i ditur rrethanet për mënyrën e vdekjes. Por, Albinit nuk i interesonin rrethanat, për të ishte mirë që dikush nga aktivistët e tij vdiq në duart e shtetit për të krijuar mundësinë lëvizjes së tij për ta bërë rrëmujë Kosovën.

Gjithëçka që Albini kishte menduar i doli në realitet, sepse punoi shumë, propagandoi shumë që për rastin e Astrit Deharit para oponinit publik fajtor të jetë shteti, i cili pastaj u manifestua me protesta dhe pakënaqësi qytetare, ndërsa e vërteta është se sot e asaj dite ende nuk dihet si ndodhi vdekja, a ishte vrasje apo ishte vetëvrasje. Astriti nuk jeton më për të na thënë të vërtetën, por partia të cilës ai i shërbeu e keqpërdori jashtëzakonisht shumë fatkeqësinë e vdekjes së tij.

Sot në rrethana të reja ku Albini është në krye të ekzekutivit ku kontrollon gjithë pushtetin, ai dhe varësit e tij po zgjedhin të heshtin, nuk e thanë asnjë fjalë, as në mandatin e parë, e as në mandatin e dytë për vdekjen e Astritit, dhe ne me të drejtë mund të konsiderojmë se heshtja e tyre po flet, madje jo vetem që po flet, por heshtja e tyre po ulërinë se kjo lëvizje e ka keqpërdor vdekjen e aktivistit të saj ashtu siç ka keqpërdor shumë fatkeqësi tjera vetëm për të ardhë në pushtet.