Lajme

Gazi amerikan mund ta detyrojë Greqinë ta njohë Kosovën

06/04/2021 18:55
nga:M K

Greqia është gati të ndërtojë një terminal lundrues të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Alexandroupolis për të blerë gaz nga SHBA-ja dhe më pas ta shesë atë në vendet e rajonit duke e parë Kosovën si një klient kryesor për një termocentral me gaz, ndërsa autoritetet kosovare presin që plani i biznesit të gazit të çojë që Athina të njohë pavarësinë e saj në këmbim të ngritjes së statusit aktual të marrëdhënieve dypalëshe.

Burime Perëndimore, të përfshira në projektin LNG në Greqi dhe me diskutimet e vazhdueshme me autoritetet e Kosovës për një termocentral me gaz, i kanë thënë agjencisë së lajmeve dtt-net.com se mund të ketë një lidhje mes projektit të gazit dhe marrëdhënieve të Greqisë me Kosovën në të ardhmen, gjë që mund të çojë në ndryshimin e qëndrimit grek dhe të njohë Kosovën.

“Po, padyshim”, ka thënë sot për agjencinë në fjalë burimi që deshi të mbetej anonim, kur u pyet nëse projekti LNG në Greqi dhe përdorimi i tij për një termocentral me gaz në Kosovë pritet t’i forcojnë raportet mes Kosovës dhe Greqisë dhe që çojë në njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Greqia është një nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Spanja janë katër tjerat.

Se marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Athinës janë në një momentum të ri, u tha edhe nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë një takimi që ai pati me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla në Prishtinë.

Gërvalla u tha gazetarëve se dy ministrat u pajtuan të “avancojnë” statusin e zyrës së Kosovës në Athinë nga “një e ashtuquajtur zyrë e thjeshtë ekonomike në një të ashtuquajtur zyrë të interesit” për çështje jo vetëm të natyrës ekonomike “por edhe politike”.

Ministrja tha po ashtu se njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së, përfshirë edhe Greqinë, do të kontribuonte në stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.

Ministri Dendias sqaroi po ashtu se Greqia dhe Kosova pritet të hyjnë në një fazë të re marrëdhëniesh, ku sektori i energjisë do të jenë bërthama.

“Vizita ime këtu nënvizon përkushtimin tonë për avancim të mëtejmë të marrëdhënieve me ju (Kosovën). Dëshirojmë t’i zgjerojmë raportet tona ekonomike, raportet tona tregtare dhe për këtë arsye unë po shoqërohem nga zëvendësministri Kostas Fragogiannis, i cili është përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare. Kam kërkuar nga Kostas që t’i caktojë takimet në themel të marrëdhënieve tona në fushën e energjisë”, tha Dendias, transmeton Zeri.info.

Por, USA LNG përmes Greqisë e më pas në Kosovë siç planifikohet, nuk është gazi i vetëm nga i cili Kosova mund të përfitojë për një termocentral me gaz dhe për gazifikim.

Dendias tha se i tërë rajoni duhet të lidhet me tubacionin e BE-së i cili sjell gaz nga Azerbajxhani në vendet evropiane.

“Duke e rritur sigurinë e energjisë dhe diversifikimin e burimeve energjetike, ne besojmë se i tërë Ballkani Perëndimor duhet të lidhet në Tubacionin Trans-Adriatik përmes ndërlidhësve të gazit… Ne gjithashtu mund të ofrojmë njohuri teknike për uljen e varësisë nga linjiti dhe zgjerimin e përdorimit të burimeve të energjisë së rinovueshme… ”, tha Dendias, duke iu referuar impiantit aktual të linjitit në Kosovë.

Sipas burimit Perëndimor, autoritetet kosovare po e konsiderojnë mundësinë e përdorimit të LNG-së amerikane për një termocentral afër Prishtinës me rreth 200MWh si pjesë e strategjisë së saj për tranzicion në energji dhe diversifikim energjetik.