Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq ka deklaruar se është e papranueshme siç tha ai që “Prishtina të shmang përmbushjen e detyrimeve të saj e veçanërisht formimin e Asociacionit të Komunave Serbe duke këmbëngulur vetëm në njohje reciproke”.
Ai këto komente i bëri pas takimit që pati me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.
Kryediplomati serb theksoi se dialogu mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e BE-së, është mënyra e vetme e duhur për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme midis të dy palëve. Ai nënvizoi se një kompromis është thelbësor, që nënkupton një qasje të përgjegjshme dhe serioze dhe tha se Serbia do të vazhdojë të marrë pjesë në bisedime me mirëbesim dhe se është e gatshme të vazhdojë dialogun.
“Ne e konsiderojmë të papranueshme që Prishtina të shmang përmbushjen e detyrimeve të saj, veçanërisht formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke këmbëngulur vetëm në njohjen reciproke,” theksoi Selakoviq, duke shtuar se retorika aktuale inflamatore e Albin Kurtit nuk kontribuon në krijimin e një atmosfere të favorshme për dialog, shkruan Kosovo Online, transmeton Klankosova.tv.
Gjithashtu, ai tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike nga Uashingtoni është plotësuese e veprimtarive të BE-së dhe se është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Ai shprehu shqetësim në lidhje me siç i quajti “sulmet e shpeshta fizike në objektet e Kishës Ortodokse Serbe në periudhën e kaluar dhe vuri në dukje se Manastiri i Deçanit u përfshi kohët e fundit nga organizata “Europa Nostra” në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara të kulturës në Evropë.
Ministri serb raportohet se falënderoi Palmer për vizitën në Manastrin e Deçanit dhe takimin me Peshkopin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije dhe Abatin, Sava Janjiq, dy ditë më parë, si dhe për deklaratën e dhënë me atë rast në lidhje me pronën e manastirit.