Lajme

Paralajmërimi i Vuçiqit: Në Bruksel mund të diskutohet për Asociacionin

06/02/2021 16:07
nga:M K

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë të mërkurën se reagimi i Beogradit do të jetë “shumë i fuqishëm dhe i ashpër” sa i përket mosrespektimit të marrëveshjeve ligjore të nënshkruara në Bruksel, në lidhje me formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Është në rregull të jesh i butë dhe të bësh kompromis. Por kur dikush të shtyn drejt një muri, kur sheh se dikush nuk dëshiron kompromis, duhet të tregosh mprehtësi dhe forcë,” ka thënë Vuçiq në një konferencë për media, pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit nga Republika Sërpska.

Ai ka shtuar se kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin do të trajtojë si “çdo përfaqësues tjetër të institucioneve të përkohshme”.

Kurti, në anën tjetër, ka thënë të mërkurën në Prishtinë se takimi në Bruksel “nuk është takim i vazhdimit te dialogut, por është takimi i parë që pritet ta kem me presidentin e Serbisë, me të cilin nuk jam takuar asnjëherë në jetë”, pos në tryeza e konferenca.

“Pra ky është takim i parë, dhe aty do të shohim se çfarë mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, por nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”.

I pyetur nga gazetarët një ditë më parë ( 1 qershor) për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, ka deklaruar ai.

Deklarimet rreth Asociacionit

Vuçiq ka thënë edhe se nuk pret që në takimin me kryeministrin e Kosovës, Kurti – i cili do të duhej të mbahej në qershor në Bruksel – t’i kërkohet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Nëse ai (Kurti) thotë se nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë. Dhe nëse ata presin që unë ta bëj atë, atëherë ata as nuk kanë nevojë që të më ftojnë”, ka deklaruar presidenti serb.

Vuçiq ka thënë se ai nuk e ka problem të diskutojë rreth të gjitha çështjeve tjera të rëndësishme, siç është problemi i të zhdukurve ose bashkëpunimi në fusha të tjera.

Gjatë së mërkurës, Vuçiq do të takohet në Beograd me Zëvendësndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit Matthew Palmer, derisa të enjten me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak.

Presidenti i Serbisë ka deklaruar se të gjitha bisedimet që do të mbahen këto ditë kanë për qëllim njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Ne duam të përfitojmë sa më shumë nga dialogu për Serbinë dhe për serbët në Kosovë, por njerëzit duhet ta dinë se fuqitë më të mëdha të botës – Amerika dhe Gjermania, fuqitë perëndimore – po i kërkojnë Serbisë të njohë Kosovën. Problemi ynë është se ata nuk kërkojnë më që ajo të shtrembërohet në një formë, por që ajo të jetë e drejtpërdrejtë, me përmendjen e njohjes reciproke,” ka thënë mes tjerash ai.

Palmer dhe Lajçak po vizitojnë Beogradin pas një vizite dyditore në Kosovë, ku u takuan me zyrtarë të lartë atje.

Me një marrëveshje të vitit 2013, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është paraparë formimi i Asociacionit të komumave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Vuçiq insistion që Asociacioni të formohet.

LEXO EDHE:

Enver Hoxhaj: Gërvalla po flet sikur ministre e Sërbisë apo Rusisë