Falë projektit “Qendrat kreative në shkollat e Kosovës” të implementuar nga PBC dhe të financuar nga Ministria e Ekonomisë, 60 shkolla të mesme të Kosovë janë bërë me qendra kreative. Përmes mjeteve të siguruara nga projekti, në këto shkolla janë funksionalizuar laboratorët të TIK-ut.
Përveç pajisjeve, nxënësit dhe profesorët përfituan njohuri në fushën e TIK-ut. PBC përmes njësisë së saj – PBC Academy trajnoi pjesëmarrësit për këto module: trendet e reja në TIK; ndërmarrësi dhe inovacion; programim të orientuar në objekte; LittleBits; Arduino; Rasberry PI; dizajnim dhe printim, si dhe etikë në punë.
Menaxheri i këtij projektit, Adriatik Olloni, tha se janë të lumtur që nga ky projekt kanë përfituar mbi 900 nxënës dhe 120 arsimtarë të TIK-ut, nga të gjitha viset e Kosovës. Ai shtoi se:
“Përveç furnizimit me mjete, ideja e projektit ka qenë që të aftësohen më shumë nxënës dhe arsimtarë në këtë fushë. Prandaj, kemi realizuar me sukses këtë mision sepse gjatë këtij projekti janë trajnuar 900 nxënës dhe 120 arsimtarë. Ndonëse kemi hasë në vështirësi për shkak të pandemisë, megjithatë kemi arritur që ta përfundojmë me sukses”, tha Olloni.
Puna mbi 1 vjeçare në këtë projekt u kurorëzua me garën e zhvilluar ndërmjet shkollave për idetë më të mira dhe kreative, të cilat e gjejnë zgjidhjen e problemeve shoqërore tek teknologjia. Para një komisioni profesional, 60 shkolla konkurruan me projektet e tyre, 6 prej të cilave arritën në finale.
Detektimi i maskës; digjitalizimi i ziles së shkollës; qyteti i gjelbër; monitorimi i ajrit dhe temperaturës në shtëpi; menaxhimi digjital i ushqimit të qenit, si dhe hyrje/daljet përmes detektimit të fytyrës, janë problemet shoqërore zgjidhjen e të cilave këta nxënës e kanë gjetur përmes teknologjisë, bazuar në njohuritë që i kanë marrë nga trajnimet e këtij projekti.
Kryetari i komisionit vlerësues, prof. dr. Blerim Rexha, tha se nxënësit kanë trajtuar tema që preokupojnë gjithë shoqërinë.
“Ishte kënaqësi të shohim dhe konstatojmë arritjet e këtyre nxënësve. Këto projekte janë rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm të trajnuesve nga PBC dhe arsimtarëve të shkollave profesionale dhe nxënësve”, tha Rexha.
Tri ekipet fituese të cilat do të përzgjidhen shumë shpejt do të shpërblehen me të holla dhe projekte do ta kenë shansin të shndërrohen në start up.
LEXO EDHE:
Enver Hoxhaj: Gërvalla po flet sikur ministre e Sërbisë apo Rusisë