Lajme

Tensionohet situata në Komision, Ardian Kastrati lëshon sallën pas përplasjeve me Besnik Bislimin

06/02/2021 10:08
nga:Y I

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi po raporton sot në Komisionin për Integrime Evropiane.

Raportimi i tij para Komisionit është përcjellë me shumë tensione, pas përplasjeve të vazhdueshme me deputetët e PDK-së.

Ka qenë deputeti Ardian Kastrati i cili e ka quajtur të padijshëm zëvendëskryeministrin Bislimi, për të cilin ka thënë se nuk ka ide se çka janë integrimet evropiane.

Ai ka thënë se kjo Qeveri është e paaftë për udhëheqjen e dialogut me Serbinë, dhe se synim kryesor ka dërgimin e vendit në zgjedhje,

“Ju po thoni populli jemi ne, çka keni me ba ju në negociatat me Serbinë, cila ka me qenë qasja juaj në raport me SHBA-në dhe BE-në. Dhe tjetra cili ka me qenë qëndrimi juaj. I keni rezolutat e Parlamentit që Qeveria duhet të udhëheqë dialogun, po flas për eurointegrimet që ky si kupton e që kanë të bëjnë me dialogun. Ju çfarë keni me ba me ofertat që i keni në tavolinë në lidhje me dialogun, ju po doni me shku në zgjedhje. Dialogu lidhet drejtpërdrejt me procese integruese”, ka thënë Kastrati.

E Bislimi i është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk meriton përgjigje nga ai.

Ai ka thënë se qasja e Kastratit mbetet e njejtë, si atëherë, kur siç është shprehur e kanë larguar nga puna si referent.

“Prej atij Ardiani që e kemi largu prej pune si referent po e shoh që nuk ke ndërru qasje. Si i tillë që je nuk meriton përgjigje nga unë”, ka thënë Bsilimi.

Kjo ka bërë që Kastrati të revoltohet dhe të largohet nga salla duke e quajtur Bislimin “kukull”.