Lajme

“Rasti Qeveria”, Xhevdet Qeriqit dhe të tjerëve u parashkruhet lënda, gjykata hedh poshtë aktakuzën

06/01/2021 10:02
nga:N M

Për shkak se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale,  Gjykata Themelore në Prishtina e ka hedhur poshtë aktakuzën dhe ka pushuar procedurën penale ndaj 10 veteranëve të luftës, Xhevdet Qeriqi, Muhamed Kuka, Zymer Ahmeti, Fahri Zeqiri, Arsim Hopp, Skënder Llugiqi, Ekrem Xheladini, Nusret Azemi, Bahti Danushi dhe Driton Sadiku.

Ata akuzoheshin nga prokuroria se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, nga neni 333, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Gj.M, për të cilin gjykata e ka pushuar procedurën penale, pasi që i njëjti ka ndërruar jetë.

Sipas aktvendimit të përpiluar nga gjykatësja Lumnije Krasniqi, në rastin konkret ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale ndaj të akuzuarve të lartcekur.

Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarës, Qeverisë së Kosovës, duke vepruar sipas udhëzimeve të gjykatës, në seancën e 14 prillit 2021 kishte deklaruar se dëmi që i ishte shkaktuar Qeverisë së Kosovës ishte në shumën prej 400 euro.

Ndërsa sa i përket veturës “Xhip”, i njëjti kishte theksuar se kjo veturë nuk ishte pronë e Qeverisë dhe nuk dihej se kush është pronar i saj.

Andaj, në aktvendim thuhet se gjykatësja Krasniqi e kishte obliguar prokurorin e shtetit që të vërtetojë faktin se kush është pronar i kësaj veture dhe të kërkojë prova lidhur me dëmin e shkaktuar ndaj saj.

Tutje, në arsyetim thuhet se prokuroria duke vepruar sipas udhëzimeve të gjykatës, me parashtresën e 28 prillit 2021 e kishte precizuar aktakuzën sa i përket dëmit të shkaktuar ndaj palës së dëmtuar-Qeverisë së Kosovës.

“Prokurori i shtetit duke vepruar sipas udhëzimeve të Gjykatës, me parashtresën e datës 28.04.2021, ka njoftuar Gjykatën se pas komunikimit zyrtar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, përmes emailit ishte njoftuar se vetura “Xhip” është pronë e Qeverisë dhe se dëmi i shkaktuar ishte në shumë prej 668.35 euro, prandaj edhe  kishte bërë precizimin e dispozitivit të aktakuzës”, thuhet në aktvendim.

Sipas arsyetimit, prokuroria kishte bërë edhe ricilësimin e veprës penale nga “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, nga neni 333, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, në veprën penale “asgjësimi apo dëmtim i pasurisë”, nga neni 333, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Me ç’rast, si thuhet në aktvendim, prokuroria i kishte propozuar gjykatës që duke pasur parasysh dëmin e shkaktuar, në rastin konkret kishte arritur parashkrimi i ndjekjes penale raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktvendim thuhet se gjykatësja e rastit, duke u kujdesur sipas detyrës zyrtare përkitazi me afatet e parashkrimit, ka vlerësuar se në rastin konkret tani është shkaktuar parashkrimi absolut dhe ndalesa absolute e ndjekjes penale kundër të akuzuarve.

“Për veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333 par.1 të KPRK-së, është paraparë që kryesi të dënohet me dënim me burgim deri në një vit. Në rastin konkret ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale pasi që nga kryerja e veprës penale e cila ishte kryer më 07.08.2015 e deri më sot kanë kaluar më shumë se katër vite dhe është plotësuar kushti i parashkrimit absolut, konform nenit 106 par.1 pika 1.6 dhe nenit 107 par.8 të KPRK-së”, thuhet në aktvendim.

Në fund të vendimit, bëhet e ditur se shpenzimet e procedurës bien në barrë të mjeteve buxhetore të  Gjykatës. Ndërsa pala e dëmtuar-Qeveria e Kosovës me përfaqësuesin e autorizuar, avokatin e shtetit, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, në këtë rast të monitoruar nga “Betimi për Drejtësi” nuk kishte arritur të fillonte gjykimi. Kjo pasi të gjitha seancat e caktuara nga gjykata ishin shtyrë në mungesë të disa të akuzuarve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 tetor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nusret Azemit, Driton Sadikut, Xhevdet Qeriqit, Arsim Hopp, Skënder Llugiqi, Bahti Danushi, Muhamed Kuka, Ekrem Xheladini, Zymer Ahmeti, Fahri Zeqiri, dhe tani i ndjeri Gj.M, të cilët i akuzonte se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktin akuzues thuhet se të akuzuarit, më 7 gusht 2015, në sheshin “Skënderbeu”, në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjatë protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës, ndaj pakënaqësive të tyre lidhur me procesin e verifikimit dhe daljes së rezultateve nga procesi i verifikimit së veteranëve të luftës, me dashje në bashkëkryerje kishin dëmtuar pasurinë e Qeverisë së RKS-së.

Siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit, fillimisht kishin dëmtuar derën lëvizëse të hyrjes së objektit të Qeverisë, më tej me mjete të përshtatshme kishin thyer xhamin e kabinës së portës hyrëse dhe poashtu kishin dëmtuar automjetin e tipit “Xhip” që ndodhej në hapësirën e oborrit të objektit qeveritar, me ç’rast të dëmtuarës i kishin shkaktuar dëm material.

Zemaj e quan të paaftë për menaxhim Arben Vitinë pas akuzave: Me një USB iu kisha informu, për 5 minuta