Kolumbia nuk e grumbulloi James Rodriguez për dy takimet eliminatore të Katar 2022 (Peru, Argjentinë) dhe Kupën e Amerikës (13 qershor-10 korrik, Brazil), vendim që ka shkaktuar trishtimin e fantazistit të Everton. Tifozët latinë duan të mësojnë të vërtetën e yllit të kombëtares.
“Nuk gëzon gjendje të mirë shëndetësore“, lexohej në komunikatën e Kolumbisë. 29-vjeçari nuk e fshehu faktin që ishte befasuar, teksa deklaroi: “Më habiti fare deklarata e stafit të ekipit kombëtar. Ata deklaruan se nuk mund të mbështeteshin tek unë, duke më uruar shërim të shpejtë.
Shërim që ka ndodhur falë sakrificave të mia të mëdha. Duhet të isha treguar i kujdesshëm në sfidën me Perunë, por mund të luaja pa probleme ndaj Argjentinës. Sigurisht që nuk do kisha probleme të luaja në Kupën e Amerikës“.
Në këtë debat është përfshirë edhe shefi i stafit mjekësor të Everton, klubit ku aktivizohet James Rodriguez. Edhe Danny Donachie nuk arrin ta kuptojë vendimin e trajneri Rueda. “James pësoi një dëmtim të vogël në fundin e sezonit.
Nuk do kishte asnjë problem që ai të bashkohej me kombëtaren. Shpresoja që t’ia dilte të luante në dy ndeshjet kualifikuese të Botërorit Katar 2022 (4 dhe 9 qershor). I vetmi diskutim që bëmë me Federatën e Kolumbisë ishte nëse kjo ishte ide e mirë, apo duhet të përgatisnim lojtarin për Kupën e Amerikës“. /abcnews.al