Cult

Enver Petrovci nderohet me Çmimin për Vepër Jetësore

05/28/2021 13:22
nga:G C

Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku, është mbajtur sot ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore për teatër.

Ministri Ceku, në fjalën e tij u shpreh se këtë herë çmimet për tetarët po ndahen me pak vonesë me qëllimin që gjithçka të jetë profesionale dhe të realizohet në mënyrën më të mirë.

“Nuk kemi dashur që këtë punë ta kryejmë sa për sy e faqe, por ta realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk ka qenë një proces i lehtë sepse ka pasur nominime cilësore por këto janë çmime tradicionale vjetore. Ky komunitet ka qenë një zhvillim kulturor sepse teatri është një reflektim i gjendjes shpirtërore të komunitetit artistik”, tha Ceku duke potencuar që juria ka vendosur që t’i shpërblejë me këto çmime për një punë të mirë në një kohë të vështirë.

Juria profesionale kishte vendosur që çmimet për teatër të ndahen në këtë formë:

Çmimi për vepër jetësore t’i ndahet aktorit Enver Petrovci.

Çmimi për shfaqjen më të mirë shkoi për “Zgjimi i Pranverës” të regjisores Zana Hoxha.

Çmimi regjisë më e mirë për Blerta Neziraj.

Çmimi aktori më i mirë për Armend Ismajli.

Çmimi për prezantimin ndërkombëtar për AKT- Shtëpia Teatrore.

Pas pranimit të çmimit, aktori Enver Petrovci u shpreh se ky është çmimi i parë që e ka marrë nga Qeveria e Kosovës. / KultPlus.com