Lajme

Biden e Putin do të takohen më 16 qershor në Zvicër

05/25/2021 18:55
nga:Y I

Joe Biden dhe Vladimir Putin do të takohen së bashku më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës.

Ky është rezultat i bisedimeve mes këshilltarëve përkatës të sigurisë, që kanë arritur një marrëveshje për samitin.

Lajmi është konfirmuar nga ana e Kremlinit dhe Zvicra është zgjedhur si vend tradicionalisht neutral, që nuk është pjesë e asnjë blloku politik e ushtarak.

Kjo është hera e parë që kur Biden është zgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë, i një takimi të këtij niveli me Rusinë. Takimi synon që të çtensionojë marrëdhëniet mes dy vendeve, që janë në pikën më të ulët historike që prej Luftës së Ftohtë.

Tensionet arritën kulmin në mars Presidenti amerikan Biden e quajti Putinin “vrasës të pashpirt”, ndërsa Presidenti rus u përgjigj duke i dëshiruar homologut të tij “shëndet të mirë”.

Administrata Biden akuzon Rusinë se qëndron pas piraterisë së rrjeteve kompjuterike amerikane te militarizimi i rajonit të Arktikut, deri te përdorimi i vaksinave anti-Covid si armë për të dëmtuar interesat amerikane.

Moska thotë se Uashingtoni thjesht po përpiqet të dëmtojë ekonominë ruse me sanksione të pabazuara dhe akuza politike, sepse nuk duron dot qeveritë që ndjekin politika sovrane. Presidenti Biden tha këtë muaj se ai priste të takohej me zotin Putin së shpejti, duke shtuar se mosmarrëveshjet midis dy vendeve nuk kishin nevojë të zgjidheshin përpara një takimi të nivelit të lartë.

Administrata Biden do të donte të shtonte një samit me zotin Putinin në një vend të tretë kur presidenti amerikan të jetë në Evropë në mes të qershorit për takimin e Shtatëshes në Britani dhe bisedimet me aleatët e NATO-s në Bruksel.

Një gazetë zvicerane njoftoi të hënën se dy udhëheqësit do të takohen në Zvicër, duke cituar burime të paidentifikuara. E përditshmja Tages-Anzeiger njoftoi se një mision amerikan tashmë ka mbërritur në Gjenevë për këtë qëllim. Vëzhguesit e avionëve raportuan në Tëitter për një aeroplan të pazakontë amerikan transporti që ishte ulur të dielën në aeroportin e Gjenevës. /GSH/