Lajme

“Është lojë e Albin Kurtit”, deklaratat e Kastratit për protestat kundër reformës në arsim

05/25/2021 09:02
nga:M K

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka qenë mbrëmë i ftuar në emisionin Pressing në T7, ku ka folur për reformën në arsim, në këtë komunë. Ai ka treguar edhe arsyet pse po kërkon reformë.

Sipas tij, numri i banorëve në këtë komunë është në rënie të vazhdueshme. Ai thotë se prej vitit 1960, zonat rurale në këtë komunë kanë pasur rënie drastike të popullësisë, e në këtë rast edhe të nxënësve nëpër shkolla.

“Ajo që ka ndodhur në Europë, tash po ndodh edhe në Ballkan. Zonat rurale po zbrazen. Madje në rastin e Ballkanit kemi edhe migrim në Europë. Në këtë shkollë kemi 5 nxënës në një gjeneratë. 4 janë të një gjinie e 1 të gjinisë tjetër. Janë afër 100 gjithsej”, tha ai.

Kastrati thotë se do të vazhdojë me reformën e tij, derisa shtoi se protestat janë të politizuara dhe të instrumentalizuara nga Qeveria.

“Është lojë e Albin Kurtit kundër meje”, tha ai.

“Ti je shka, ti je duke bë agjenda të Millosheviqit. Këto janë akuzat që po shpifin ndaj meje”, shtoi ai.

Në emision ka qenë i ftuar edhe përfaqësuesi i prindërve të shkollës së fshatit Shipashnicë të Kamenicës, Blerim Shabani, i cili është përplasur me Kastratin.

Shabani e ka konsideruar absurd ngritjen penale ndaj tij nga kryetari i komunës, derisa ka thënë se po cënon lirinë e fjalës. Megjithatë, i pari i Kamenicës nuk ka qenë i të një mendimi, duke deklaruar se Shabani bashkë me një grup të personave kishte bërë nxitje dhune.

“E kom marrë një telefonatë nga Zyra e Prokurorit që kryetari Kastrati ka ngritur kallëzim penal për pastime të mia në ‘Facebook’. Ai dëshiron t’i cënojë edhe të drejtat më elementare. Përndryshe nuk do të marrë pjesë në këtë takim, vetëm për hir të emisionit”, ka deklaruar përfaqësuesi i prindërve në shkollën e Shipashnicës.

“Sipas neve kanë konsumu vepra penale, jo për liri të shprehjes së mendimit, por nxitje të këtilla se ky po mbyll shkolla shqipe, ky po bën shkolla të Millosheviqit, krejt kjo është në kuadër të kësja fushate. Ne e kemi ftuar prokurorinë për këtë çështje, në asnjë moment nuk e cënojmë lirinë e shprehjes, megjithatë nëse ajo përkthehet në veprim, atëherë rregullativa jonë ligjore e sanksionon këtë”, është kundërpërgjigjur Kastrati.

Shabani e ka konsideruar absurde reformën në arsim, duke thënë se nuk do të shënojë progres tek nxënësit.

“Djali jem ka me e pasë shtesë vetëm transportin, i njëjti inventar, e njëjta drrasë e zezë, të njëjtët profesora do jenë”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Ndryshe, të dielën është mbajtur protest në fshatin Shipashnicë, gjatë kohës sa po dërgohej inventari për nivelin parashkollorë në shkollën e këtij fshati. Protesta më pas kaloi në dhunë.

Banorët e këtij fshati, u përballen me policinë, ku kjo e fundit u detyrua të përdorte sprej në mënyrë që të shpërndante protestuesit.