Lajme

Grazeta nis peticionin për regjistrin e dhunuesve seksualë

05/22/2021 15:10
nga:M K

Organizata joqeveritare “Grazeta” ka nisur nje peticion për regjistrin e dhunuesve seksualë, shkruan Gazeta Blic.

Në këtë peticion, të cilin mund ta nënshkruajë secili qytetar, synohet që bëhen publikë të gjithë emrat e dhunuesve seksualë në Kosovë. Kjo pasi që, kohëve të fundit, janë shtuar rastet e dhunimeve seksuale në vend.

Ky peticion, do t’i dërgohet Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, që të bëhet regjistri me emra të të gjithë dhunuesve seksualë në vend.

Në komunikatën për media nga “Grazeta” përmendet fakti që në shumë vende perëndimore emrat e dhunuesve seksualë janë publik për qytetarët. Në komunikatën për media mund të gjeni linkun ku mund të nënshkruani peticionin për publikimin e regjistrit të dhunuesve seksualë.

Komunikata e plotë nga Grazeta;

Deklaratë për media

Grazeta ka filluar peticionin për regjistrin publik të abuzuesve seksualë drejtuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Më poshtë gjeni të bashkangjitur tekstin e peticionit:

Rastet e fundit të dhunës seksuale në Kosovë duhet t’i alarmojnë institucionet e vendit që këtë temë ta trajtojnë me prioritet. Qindra e mijëra fëmijë, gra dhe burra të cilët janë të mbijetuar të dhunës seksuale meritojnë që emrat e abuzueseve të tyre të jenë publikë.

Në shumë shtete të botës, emrat e personave që ushtrojnë dhunë seksuale janë publikë për qytetarët.

Prandaj, ky peticion i drejtohet Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës si kërkesë për funksionalizimin e një regjistri publik të abuzuesve seksualë.

Regjistri i personave që ushtrojnë dhunë seksuale u jep mbrojtje të mbijetuarve të dhunës, si dhe minimizon mundësinë që dhunuesit ta përsërisin aktin e dhunës seksuale.

Regjistri publik mund të parandalojë rastet e përsëritura, të krijojë siguri për të mbijetuarit dhe të inkurajojë denoncimet në kohë.

Prandaj, Grazeta u bën thirrje ta nënshkruani këtë peticon dhe së bashku të krijojmë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të parandalojmë dhunën seksuale.

Nënshkruani peticionin nëse dëshironi edhe ju që emrat e abuzueseve seksualë të jenë publikë.

Peticioni:
http://chng.it/mLdL2gwb2N

LEXO EDHE:

Bie numri i pacientëve që po trajtohen për Covid në QKUK dhe spitalet e përgjithshme