Sporti

Sot zhvillohen gjysmëfinalet e Kupës në hendboll

05/21/2021 15:05
nga:Mergim Rreci

Me turneun final të Kupës së Kosovës përfundojnë garat për skuadrat elitare të hendbollistëve. Ndeshjet gjysmëfinale të Kupës zhvillohen sot (e premte) në palestrën e qytetit në Istog.

Në gjysmëfinalen e parë takohen Prishtina e Kastrioti. Kjo ndeshje është prej orës 15:00. Prishtina ka luajtur edhe në finale të plejofit dhe llogaritet favorite ndaj skuadrës ferizajase. Por Kastrioti natyrisht do të jap më të mirën në kërkim të suksesit.

Prej orës 17:00 është gjysmëfinalja e dytë. Takohen Trepça e Besa Famgas. Skuadra pejane Besa Famgas ka fituar titullin e kamionit dhe synon edhe Kupën e Kosovës. Besa ka fituar të gjitha ndeshjet këtë edicion dhe është favorite e madhe ndaj mitrovicasve. Trepça ishte ndalur në gjysmëfinale të plejofit në Superligë dhe angazhimi nuk pritet të mungoj në tentim për paraqitje të suksesshme.

Në konkurrencën e femrave, Ferizaj dhe Prishtina do të përballen nga ora 13:00, ndërsa Vushtirra dhe Istogu prej orës 19:00. Skuadrat që do t’i fitojnë duelet gjysmëfinale do të përballën me njëra-tjetrën të shtunën në Istog. Ku finalja e femrave fillon prej ora 17:00, ndërsa ajo e meshkujve nga 19:15.