Ndeshja e barazhit e Ligës së Parë, ndërmjet Dukagjinit dhe Flamurtarit, do të zhvillohet të premten në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, në orën 15:00.
Dukagjini dhe Flamurtari kërkojnë ta kalojnë sfidën e parë drejt inkuadrimit në Superligë dhe nesër një nga këto skuadra dëshirojnë t’i afrohet qëllimit të sezonit, shkruan GazetaBlic Sport.
Futbollisti i Flamurtarit, Denis Haliti thotë se tek Flamurtari po bëhet punë e madhe para kësaj ndeshje dhe të gjithë besojnë në rezultat pozitiv.
“Nesër kemi pothuajse ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni, pavarësisht mungesave që kemi, ne jemi përgatitur mjaft mirë me stafin e trajnerëve dhe gjithë bashkëlojtaret së bashkë për këtë ndeshje dhe kemi bërë një punë të madhe për këtë ballafaqim. Të gjithë besojmë dhe shpresojmë në një rezultat pozitiv”, tha fillimisht Denis Haliti për ‘GazetaBlic Sport’.
Haliti gjithashtu shton se Flamurtari duhet të rikthehet aty ku e ka vendin, në Superligë.
“Nëse e fitojmë ndeshjen e parë të barazhit, atëherë dihet se na pret një ndeshje e vështirë ndaj njerës prej ekipeve të Superligës që do të mbet në barazh, besoj që po edhe aty do kemi sukses pasi që Flamurtari meriton të rikthehet aty ku e ka vendin, pra në Superligë, gjë edhe për të cilën besojmë të gjithë në klub”, përfundoi Haliti.
/GazetaBlic Sport



