Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar lidhur me paratë e vjedhura nga thesari i shtetit, në kohën sa ajo ishte ministre.
Bajrami në debatin që po zhvillohet në Kuvend, ka pasur një përplasje me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku i bëri thirrje që të kërkojë hetime nga Prokuroria lidhur me rastin e 2.1 milionëshit nga thesari i shtetit, që për këtë rast, ajo tha se është e pastërt.
Ajo tha se është ballëhapur dhe e pastër për rastin e 2.1 milionë eurove.
“Hykmete Bajrami jeton në Prishtinë, vjen sa herë a seanca dhe komisione dhe nuk fshehët. Ministrja e Drejtësisë e cila dje tha që e kam autorizua Prokurorin që të merret me rastin e drogës, është mirë ministre që me autorizim prokurorin dhe të gjitha organet që të merren me rastin e 2.1 milionëshin dhe të merren me rastin e Bajramit, sepse duhet me u pastruar njëherë e përgjithmonë ky rast. Zbardheni këtë rast e mos u mundini me ma mbyll gojën me 2.1 milionë sepse janë ata njerëz që po vazhdojnë me qenë drejtore të thesarit ata zyrtarë, keqbërësit janë në burg. Edhe ju tani që i keni krejt nivelet e pushtetit asgjë s’po bëni. Me prokurori me gjyqësi të gjithë mund t’i ndërroni në bashkëpunim më presidenten, po pastrojeni këtë rast, pro mos provoni me ma mbyll gojën së s’ma mbyllni se jam e pastër”, ka thënë Bajrami.
E menjëhershme ishte përgjigja e ministres, Haxhiu e cila tha se ajo nuk e ka autorizuar Prokurorin që të bëjë hetime, por që siç tha ajo, sipas ligjit për bashkëpunim juridik, ministrja e Drejtësisë autorizon autoritet tjera që të vijnë në Kosovë për hetime.
“Ministri i Drejtësisë në asnjë rast nuk ka të drejt të kërkojë ose të autorizoj prokurorinë të bëjë hetime. Ajo çfarë kam thënë unë është që sipas ligjit për bashkëpunim juridik, ministrja e Drejtësisë autorizon autoritet tjera që të vijnë në Kosovë për hetime. Guardia de Finanza ka qenë në Kosovë me autorizimin tim, kjo ka qenë ajo çfarë kemi deklaruar”, ka thënë Haxhiu.


