Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, deklaroi sot se dërgimi i paqeruajtësve të vendit të tij në misionin KFOR është vënë në pikëpyetje nga kundërshtarët e pavarësisë së shtetit të Kosovës, që synojnë misionin e pamundur të kthimit prapa të historisë.
Pas takimit në Bruksel me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti Gjukanoviq tha se nuk kishte asnjë arsye pse Mali i Zi nuk do të vazhdonte të merrte pjesë në këtë mision.
“Unë mendoj se kjo është përgjegjësia absolute e Malit të Zi, një anëtare e NATO-s dhe një anëtare e NATO-s nga ai rajon. Është dy herë më përgjegjës për stabilitetin e rajonit sesa vendet e tjera që janë në të njëjtin status me vendet anëtare,” tha Gjukanoviq.
Qeveria e Malit të Zi dit më herët tha se nuk do të dërgojë një togë ushtarësh në KFOR për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe situatës me COVID-19.
“Hezitimet janë të natyrës politike, kjo ide po përforcohet nga ata që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës që ende besojnë se ishte një gabim dhe që po përpiqen ta kthejnë timonin mbrapa. Është një mision i pamundur,” tha Gjukanoviq,
Ndërsa, Stoltenberg tha se ai do të dëshironte që Mali i Zi të vazhdonte të merrte pjesë në këtë mision.
“Vendimi për të dërguar trupa është një vendim kombëtar. Unë do të mbështes vendimin e Malit të Zi për pjesëmarrje në këtë mision, do të jetë i rëndësishëm për punën e misionit KFOR, në mënyrë që të ruhet stabiliteti në Kosovë, dhe do të jetë i rëndësishëm për Malin e Zi, sepse kjo do të jetë një mënyrë për të ndihmuar stabilitetin në Ballkan,” tha Stoltenberg, transmetojnë mediat e Malit të Zi.
Dërgimi i ushtarëve në Kosovë është kundërshtuar nga Fronti Demokratik, partia më e madhe në koalicionin qeverisës. Kryetari i Komisionit parlamentar për Sigurinë, Milan Knezheviq, paralajmëroi qeverinë nëse dërgon forca në Kosovë.
Ndryshe, Knezheviq ishte dënuar për pjesëmarrje në përpjekjen e grusht-shtetit në Mal të Zi, në vitin 2016, i cili ishte mbështetur nga Rusia.
LEXO EDHE:
“Qeveria Kurti kurseu rreth 50 milionë euro për 56 ditë nga ndërprerja e kontratave të dëmshme”