Me ndeshjet e xhiros së 27-të në Ligën e Parë, ka përfunduar sezoni 2020/21.
Malisheva e Grupit A dhe Ulpiana e Grupit B, kanë siguruar promovimin direkt në Superligën e Kosovës.
Mirëpo, lajm i hidhur është se dy klube të njohura të futbollit kosovar, Vushtrria dhe KEK-u kanë rënë në Ligën e Dytë.
Vushtrria në të shkuarën ka qenë kampion i Kosovës, ndërsa KEK-u kishte fituar Kupën e Kosovës.
Vushtrria është njëra ndër skuadrat që ka prodhuar shumë futbollistë e emra të mëdhenj dhe natyrisht konsiderohet si njëra ndër qytetët që tradicionalisht ka qenë e lidhur me futbollin, megjithatë tashmë është në gjendje shumë të rëndë me probleme të sferave të ndryshme.
Në lidhje me këtë gjë për GazetaBlic Sport, ka folur ish trajneri dhe ish anëtari i stafit të kësaj skuadre, Bekim Shotani.
Ai tha se krejt kjo ndodhi për shkak të dështimit nga stafi menaxhues dhe se ata dështuan të jenë të përgjegjshëm ndaj gabiemve të tyre.
“Kjo ndodhi pikërisht për shkaqe joprofesionale nga stafi menaxhues. Ka shumë faktorë që ndikuan dhe njëra ndër ato është edhe mosdhënia e llogarisë ndaj dështimeve që po ndodhin. Shpëtimi mund të gjendet vetëm me organizimin e një kuvendi të ri të organizuar për drejotri dhe sport. Duhet të ketë një planprogram afat-mesëm me objektiva për vitin 2021-2025, në të gjitha nivelet e klubit“, tha fillimisht Shotani për GazetaBlic Sport.

“Vushtria ka brum prandaj ka perspektivë, vetëm se kërkohet organizim i duhur. Të fortit kur rrëzohen, çohen edhe më të fortë. Nuk ka kohë për të vajtuar, duhet punë dhe reflektim. Shpresojmë që do të reflektojnë të gjithë së bashku për ta rikthyer klubin e zemrës në vendin ku e meriton“, përfundoi Shotani.
/GazetaBlic/


