Muaji maj i vitit 2016 është muaji historik për futbollin kosovar.
Në këto dy data, Kosova u pranua me të drejta të plota në instancat më të larta të Futbollit, në UEFA dhe FIFA.
Emisioni “Expose” prodhim i Gazetës Blic, ka realizuar dokumentar mbi këto dy data historike për futbollin tonë, tashmë kur janë bërë 5 vite nga këto ngjarje të mëdha.
Pjesë e këtij dokumentari me me rrëfimin e tij është edhe futbollisti i mirënjohur kosovar, Liridon Leci.
“Unë kam qenë pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës që nga grupmosha. Ne kemi kaluar periudha të vështira kur nuk ishim të pranuar. Më kujtohet koha kur Albert Bunjaku më ftoi, por klubi suedez nuk më lejoi të bashkohem me Kosovën, sepse ata thanë kush do të marrë përgjegjësitë më vonë nëse lëndohesh. Me një fjalë ne kemi luajtur vetëm ndeshje miqësore pa ndonjë objektiv. Në ditën e pranimit të Kosovës në UEFA, unë isha para mediave dhe me të vërtetë ishin lajmet që më entuziazmuan shumë, sepse të gjithë punuan shumë në krye me Presidentin Fadil Vokrri. Në kualifikimet e Ligës së Kampionëve me Dritën, ishte një emocion i madh dhe kjo u kurorëzua me dy gola të mi. Unë festova me një shqiponjë sepse ishte koha kur Xhaka dhe Shaqiri festuan në mënyrë të ngjashme me Serbinë në ato ditë“, tha Leci për për dokumentarin “Expose”.


