Megjithëse popullsia e Kinës është rritur me 5.38 për qind në dekadën e fundit dhe ka arritur në 1.41 miliardë njerëz, të dhënat nga zyra e statistikave të hënën treguan se niveli i lindjeve po zvogëlohet dhe se vendi po plaket në mënyrë dramatike.
Rezultatet e regjistrimit të fundit në vend treguan se që nga viti 2010, popullsia kineze mbi moshën 60-vjeç është rritur me 5.44 për qind në 264 milionë.
Një në pesë persona në Kinë, 18.7 për qind, është mbi 60-vjeç. Ndërkohë, popullsia në moshë pune është në rënie. Popullsia midis moshës 15 dhe 59-vjeç ka rënë me 6.79 dhe tani përbën 63 për qind të popullsisë.
“Plakja e vazhdueshme e popullsisë po bën presion mbi zhvillimin e ekuilibruar afatgjatë,” tha Ning Jizhe, drejtor i institutit statistikor.
Rritja totale e popullsisë gjithashtu është ngadalësuar, në vetëm rreth 0.53 për qind në vit, norma më e ngadaltë e rritjes në Kinë në shumë dekada. Ekspertët paralajmërojnë se kjo prirje demografike mund të ngadalësojë ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Një nga arsyet e rritjes më të ngadaltë është se shumë kinezë nuk janë të gatshëm të kenë më shumë fëmijë. Media shtetërore e përshkroi mungesën e fëmijëve si “alarmante”.
Për shembull, numri i lindjeve të regjistruara në vitin 2020 ishte tashmë 15 për qind më i ulët se numri i regjistruar në vitin 2019, sipas të dhënave qeveritare të lëshuara në fillim të këtij viti. Numri aktual ra nga 11.79 milionë në 10.04 milionë.
“Në zonat urbane, kostot e larta të strehimit, kujdesi shëndetësor dhe arsimi kanë zbehur entuziazmin e shumë çifteve për të pasur fëmijë,” shkruan gazeta kineze e financave Caixin.
Përveç këtij problemi, numri i martesave po bie në Kinë, dhe shkalla e divorcit gjithashtu po rritet. Tashmë, shkalla e divorcit është më e lartë se në Japoni ose Korenë e Jugut. Shumë çifte presin për vite më të pjekura që të martohen dhe të krijojnë një familje.
Në vitin 2016, një ligj i vitit 1979 që kufizonte familjet të kishin vetëm një fëmijë u shfuqizua. Sidoqoftë, kjo shkaktoi vetëm një rritje të shkurtër të nivelit të lindjeve, e ndjekur nga rënia. Shumë ekspertë argumentojnë se pas gati katër dekadave të politikës së një fëmije, normat shoqërore kanë ndryshuar. Shumë njerëz tani janë mësuar me idenë e familjeve më të vogla.
Ning argumenton se prirja në rënie e popullsisë ndoshta duhet të vazhdojë dhe të bëhet edhe më e theksuar.
Shifrat e reja bazohen në regjistrimin e parë në 10 vjet. Ai u krye në nëntor dhe dhjetor dhe është i shtati në vend që nga viti 1953.
Nga ana tjetër, ekspertët e pavarur shprehën dyshime për shifrat zyrtare, për të cilat ata thanë se ishin shumë të larta.
“Unë arrita në përfundimin se popullsia kineze filloi të bjerë në 2018 dhe se nuk ka gjasa që në vitin 2020 popullsia aktuale të kalojë 1.28 miliardë, që është dukshëm më pak se sa 1.4 miliardë e deklaruar zyrtarisht,” tha Yi Fuxian pranë Universitetit Wisconsin.
Nëse popullsia kineze vazhdon të bjerë, ekspertët paralajmërojnë se niveli i konsumit do të ulet, gjë që do të ketë një efekt të keq për çdo kompani që mbështetet në shitje në tregun kinez.
Kjo prirje mund të çojë në një debat jopopullor në lidhje me ndryshimet në sistemin e pensioneve të vendit.
Sipas ligjit aktual, gratë mund të dalin në pension midis moshave 50 dhe 55, ndërsa burrat në moshën 60-vjeç. Por rregullat u miratuan kur jetëgjatësia në Kinë ishte dukshëm më e shkurtër, e cila nuk do të jetë e qëndrueshme nëse nuk ka mjaft punëtorë në vend për të mbështetur pensionistët.


