Njohësi i rrethanave politike, Shemsi Jashari, vlerëson se prioritetet e Qeverisë Kurti janë shumë të mira, për të qenë të vërteta, shkruan Gazeta Blic.
Jashari në një prononcim dhënë për Gazeta Blic, thotë se shumica e prioriteteve të Kurtit, janë të pamundura të realizohen pa një konsensus pozitë dhe opozitë.
“Plani qeverisës “Kurti II” dhe prioritetet e përcaktuara nga ky plan janë në dukje shumë ambicioze dhe shumë të mira për të qenë të verteta. Shumica e prioriteteve të listuara nga qeveria janë të pamundura të realizohen pa një një konsensus pozitë dhe opozitë, çka kjo qeveri e ka të pamundur ta sigurojë me këtë qasje përjashtuese siç e ka sot”, thotë ai.
Sipas tij, dialogu është ndër prioritetet e Qeverisë Kurti, edhe pse, sipas tij, në planin qeverisës është trajtuar shumë sipërfaqësisht.
Sa i përket rolit të opozitës në dialogun Kosovë-Serbi, ai thotë se, kjo çështje nuk mund ta kryehet vetëm nga një subjekt politik.
“Prioritetin e parë që e ka kjo qeveri, e që s’do të mund t’i ikë është dialogu, e që në planin qeverisës është trajtuar shumë siperfaqësisht për qëllime elektorale. Tashmë veq kanë filluar takimet në Bruksel për çështje dialogu, e në anën tjetër Kurti thotë se nuk është prioritet. Kjo temë do konsensus sepse nuk mund ta kryej si të vetme asnjë subjekt”, thotë ai për Gazeta Blic.
Jashari thotë se sheh shumë pak mundësi sa i përket bashkëpunimit pozitë-opozitë.
“Sa i përket bashkëpunimit pozitë opozitë, unë shoh shumë pak mundësi, sidomos jo këtë vit, pasi në tetor 2021, kemi zgjedhjet lokale dhe vërehet se tashmë partit politike kanë filluar fushatën. LVV do ta shfrytëzoj në maksimum këtë kohë për të fituar sa më shumë komuna, në mënyrë që të realizoj ambicien e tij për pushtet absolut”, deklaron ai.
Ai u shpreh i bindur se nuk do të ketë bashkëpunim të dëshiruar në mes të pozitës dhe opozitës, pasi që, sipas tij, LVV-ja ka qenë jokonstruktive në opozitë.
“Për tema të interesit nacional partit duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët, por i takon partisë në pushtet të punoj dhe krijoj mundësi që opozita të mos ndihet e shfrytëzuar, por pjesë dhe kontributdhënëse në procese. Ndryshe, duke ditur sa jokonstruktive ka qenë LVV-ja në opozitë vështirë të shohim një bashkëpunim të dëshiruar”, shton ai.
/GazetaBlic
LEXO EDHE:
Takimi i ministrave të jashtëm të BE-së, theksohet rëndësia e dialogut Kosovë – Serbi