Programi i qeverisë Kurti II për politikën e jashtme po vlerësohet i njëjtë dhe përsëritje e qëndrimeve me qeveritë paraprake në vitet e fundit.
Njohjet e reja, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, procesi integrues në BE, liberalizimi i vizave, fuqizimi i mërgatës dhe dialogu me Serbinë po konsiderohet se janë ndër të përbashkëtat e programeve qeverisëse.
Për dallim prej qeverisë Kurti I, kësaj radhe ekzekutivi nuk ka paraparë vendosje të masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, si dhe hartimin e një platforme për dialogun.
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha thotë se programi i qeverisë Kurti II, për politikën e jashtme në përgjithësi është përsëritje e qëndrimeve që i kemi parë edhe më herët dhe nuk ka dallime thelbësore në temat kyçe.
“Në përgjithësi është përsëritje e qëndrimeve të cilat i kemi parë edhe në programin e qeverisë Kurti I dhe në programin e qeverisë Hoti. Sa i përket politikës së jashtme, dialogut dhe procesit të integrimeve evropiane nuk është që ka dallime thelbësore… E përbashkëta është se në politikën e jashtme gjitha këto programe kanë folur për të njëjtën gjë, njohjen e pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë shtete, pranimi i Kosovës në sa më shumë organizata ndërkombëtare. Sa i përket mërgatës fuqizimi i rolit të tyre, sa i përket procesit të integrimit evropian, liberalizimi i vizave me një anë, marrja e statusit të vendit kandidat anën tjetër. Sa i përket dialogut me Serbinë arritja e marrëveshjes përfundimtare. Pra në thelb të gjitha programet e disa viteve të fundit flasin për të njëjtat gjëra, aty nuk ka ndonjë risi” thotë ai.
Por dallime Shasha thotë se ka parë në programin për dialogun me Serbinë. Sipas tij, aty flitet për parimet dhe pritjet për dialogun, por jo për vendosjen e reciprocitetit dhe hartimin e një platforme sikur në qeverinë Kurti I.
“Sa i përket dialogut me Serbinë, programi i qeverisë Kurti I fliste për vendosjen e masës së reciprocitetit. Programi i qeverisë Kurti I fliste për hartimin e një platforme për dialogun me Serbinë. Nëse e lexojmë tash programin asnjëra nga këto dyja nuk përmenden. Flitet për parime, flitet për dialog, flitet për çfarë presin ne prej dialogut, por nuk përmendet platforma dhe nuk përmendet në mënyrë decidive reciprociteti”, deklaron Shasha.
Megjithëse e mirëpret angazhimin për forcimin e subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës sa i përket procesit të njohjeve të reja, analisti politik, Blerim Burjani thotë se Qeveria Kurti II duhet të ketë një strategji për njohjen nga pesë vendet e BE-së.
“Nuk ka një strategji për pesë vendet nga BE që se kanë njohur Kosovën. Nuk ka një program që flet për përafrimin me këto shtete, pasi Kosova duhet të ketë një departament në kuadër të MPJD-së që flet për lobimin dhe për krijimin e lidhjeve me pesë shtetet e BE-së që se kanë njohur Kosovën. Kosova mundet më shumë me bërë, duke përafruar lidhjet kulturore, shkencore dhe historike”, thotë ai.
Në pjesën për dialogun me Serbinë, Qeveria Kurti ka paraparë në programin e saj qeverisës përgatitje të mirëfilltë dhe dakordim të përbashkët me ShBA-të, përveç ndërmjetësuesve të BE-së.
“Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së dhe garancinë për anëtarësim në OKB. Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishëm edhe koordinimin e ngushtë me partnerët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Kosovës konsideron se pjesëmarrja në dialog duhet të bëhet duke u bazuar në përgatitje të mirëfilltë dhe dakordim të përbashkët për tema që duhet të dialogohen. Për këtë proces do të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtar dhe do të ftojmë të gjitha partitë politike, si dhe do të angazhojmë ekspertë të njohur që kanë kontribuar në këtë drejtim”, thuhet në programin e qeverisë Kurti II.
Mes tjerash aty përmendet edhe fuqizimi i subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës, si dhe rishikim të funksionalitetit të shërbimit të jashtëm si tërësi. Qeveria Kurti II të premten e javës së kaluar miratoi programin qeverisës, pas 48 ditësh prej kur kanë marrë detyrën.