Sporti

Sonte zhvillohet finalja e parë në mes Pejës dhe Golden Eagle Yllit

05/07/2021 12:49
nga:Mergim Rreci

Peja dhe Golden Eagle Ylli do të përballen sonte në finale të “Play-offit” në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.

Sfida e parë zhvillohet në Pejë dhe skuadra që shënon tri fitore do të shpallet kampione e Kosovës.

Peja në çerekfinale kishte mundur Sigal Prishtinën 2:1, derisa në gjysmëfinale u përballë me Ponte Prizrenin, ku kaluan në finale me serinë 3:2, pasi takimi i fundit ishte ndërprerë pas pjesës së parë dhe u takoi pejanëve me rezultat zyrtar 20:0.

Golden Eagle Ylli në çerekfinale eliminoi Bashkimin 2:1, edhe pse humbi sfidën e parë, ndërsa në gjysmëfinale pas pesë sfidave shumë interesante eliminoi Rahovecin 3:2.

Ky edicion ka qenë njëri ndër më të barabartit pas luftës me shumë takime interesante dhe kështu pritet edhe në finale. Kjo është hera e parë për Golden Eagle Yllin që gjendet në finale, kurse Peja ka fituar pesë herë titullin, për herë të fundit më 2013.