Lajme

Historia e dhimbshme e djalit të pafajshëm që u ekzekutua në karrigen elektrike

05/06/2021 14:20
nga:Y I

Kjo është historia e dhimbshme e një djali të pafajshëm afro-amerikan, i cili u ekzekutua në karrigen elektrike, pasi u dënua për vrasje në vetëm 10 minuta nga një trupë gjykuese njerëzish të bardhë.

George Stinney Jr, i cili ishte 14 vjeç kur vdiq në 1944, është personi më i ri i ekzekutuar në SHBA gjatë shekullit të 20-të.

Më shumë se 70 vjet më vonë, në dhjetor 2014, dënimi i George për vrasjen u përmbys nga një gjykatës i Karolinës së Jugut.

Asokohe ai akuzohej për vrasjen e dy vajzave të bardha në qytetin e vogël të Alcolu, Karolina e Jugut në Mars të vitit 1944.

Trupat e Betty June Binnicker 11 vjeçe dhe Mary Emma Thames 8 vjeçe, u gjetën me kafkat e thyera.

Ato ishin vrarë në një hekurudhë, por policia arrestoi djalin e vogël pasi rezultoi se ai kishte parë vajzat një ditë më parë.

Ai u mor nga shtëpia e tij nga policët, të cilët më pas pretenduan se ai e kishte pranuar vrasjen e dyfishtë edhe pse nuk kishte prova fizike që e lidhin me krimin.

Prindërit e tij nuk u lejuan kurrë ta vizitonin pas arrestimit dhe George u dënua me vdekje nga një juri prej 12 burrash të bardhë.

Vetëm dy muaj më vonë, fëmija 14-vjeçar u çua duke qarë dhe duke u dridhur në dhomën e ekzekutimit.

/GSH/