Në 22 vjetorin e vrasjes së nënkryetarit të LDK-së, Fehmi Aganit, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me djalin e Aganit, Mentorin.
Abdixhiku ka thënë se nga Mentori ka mësuar për anën tjetër të Aganit, atë të përditshmërisë.
“Profesor Agani i dha frymë formimit tonë ideologjik, politik e shtetëror. Prandaj dhe u vra si hakmarrje e dëmtim ndaj shtyllës sonë intelektuale e udhëheqëse për shtetësi” shkruan Abdixhiku në Facebook.
Postimi i plotë:
Mentor Aganin e takova sot, pikërisht në këtë ditë të 6 majit, për të gjetur tek ai kujtimet e babait të tij, Fehmi Aganit, i cili 22 vjet më parë u vra nga forcat serbe.
Si një ndër ideologët më të dalluar të shtetit të Kosovës, ai do të kujtohet gjithëherë si një burrështetas i urtë por i palodhshëm; modest në veprimin politik por i dashur nga të gjithë. Nga Mentori mësova dhe për anën tjetër të tij – të përditshmërisë.
Profesor Agani i dha frymë formimit tonë ideologjik, politik e shtetëror. Prandaj dhe u vra si hakmarrje e dëmtim ndaj shtyllës sonë intelektuale e udhëheqëse për shtetësi.
Si pjesë e gjeneratës së artë të Lirisë, Pavarësisë e Demokracisë, ai ka motivuar mendjet e tashme e do t’i motivojë edhe ato të ardhshme. Rruga intelektuale dhe politike e tij mbetet udhërrëfim e mision i pashterrshëm për ne në LDK.


