Lajme

Qeverisë Kurti i kërkohet të kushtëzojë rikthimin në dialog me Serbinë

05/05/2021 20:26
nga:Q R

Anëtari i Këshillit Koordinues të Asociacionit të Familjarëve të Personave të Pagjetur të Kosovës, Haki Kasumi, vlerëson se Qeveria e Kosovës, kusht për kthimin në bisedime duhet ta ketë fatin e të pagjeturve, shkruan Gazeta Blic.

Pas paralajmërimit të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi,  se dialogu Kosovë-Serbi pritet të rinisë në muajin Qershor, Haki Kasumi, thotë për Gazeta Blic se Qeveria Kurti ka premtuar që në tavolinën e dialogut do t’i ketë prioritet të zhdukurit andaj, sipas tij, Kurti nuk duhet të veprojë si Qeveritë paraprake, por të mbajë premtimin.

“Qeveria duhet t’i ketë prioritet të pa gjeturit në tavolinën e dialogut me Serbinë. Qeveria Kurti e ka premtuar një gjë të tillë dhe kemi shpresa se këta do ta mbajnë premtimin dhe nëse vërtetë ja bëjnë si ja kanë bërë Qeveritë e kaluara, atëherë më mirë mos ta marrin dhe ta fusin në rend të ditës ngase Qeveritë e mëparshme vetëm e kanë futur në rend të ditës dhe kurrë nuk e kanë shtruar në tavolinën e bisedimeve”, thotë ai.

Tutje ai shton, se çështja e të pagjeturve në dialog do të ishte në favor të delegacionit të Kosovës, marrë parasysh dëshmive të shumta që ka vendi ynë.

Kasumi thekson, se Serbia duhet të përgjigjet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Në dialog çështja e të pagjeturve do të ishte në favor të delegacionit të Kosovës, ngase ka dëshmi të shumta, ka krime të shumta të cilat i ka bërë Serbia. Kërkojmë nga Qeveria Kurti ta ketë parasysh këtë kërkesë tonën, sepse Serbia duhet të përgjigjet për krimet e kryera në Kosovë”, thotë Kasumi për Gazeta Blic.

Kosovës i mungojnë edhe rreth 1637 qytetarë të cilët janë zhdukur nga pushteti okupues serb.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, deklaroi ditën e sotme se dialogu Kosovë-Serbi pritet të rinisë në muajin Qershor.

/GazetaBlic

LEXO EDHE:

Hoti: Çështja e dialogut është obligim – opsion i vetëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi