Lajme

A do e vendosë Kurti reciprocitetin ndaj Serbisë, ashtu siç premtoi?! – PDK dhe AAK nuk besojnë

05/05/2021 13:50
nga:Y I

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, deklaroi ditën e sotme se dialogu Kosovë-Serbi pritet të rinisë në muajin Qershor.

Megjithëse Kryeministri Kurti kishte deklaruar gjatë fushatës elektorale se dialogu nuk ishte prioritet, si duket  nuk po ndodh kështu.

Kurti kishte premtuar gjithashtu se pas ardhjes në pushtet menjëherë do të vendoste masën e Reciprocitetit me Serbinë.

Por megjithëse dialogu pritet të rinisë shumë shpejt, Reciprociteti nuk po flitet nga Qeveria Kurti.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në një prononcim për “Gazeta Blic” deklaroi se sa i përket masës së Reciprocitetit, kishte insistuar të merrte një përgjigje edhe nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, por se i njëjti nuk ishte deklaruar.

Musliu tha se Reciprociteti për Qeverinë Kurti ka rëndësi vetëm gjatë fushatës elektorale.

“Sot z.Bislimi ofroj informata teknike të takimeve të mbajtura por jo permbajtesore. Se dialogu është prioritet e thotë vet fakti që viziten e parë z. Kurti e ka berë ne Bruksel pikerisht për dialogun e pastaj në kohën tjetër që ka mbetë normal që ka diskutuar edhe për çështje të tjera. Sa i perket reciprocitetit unë ja shtrova edhe si pyetje por nuk morra pergjigje nga z.Bislimi. Reciprociteti për qeverinë Kurti, ashtu si edhe qendrimet tjera populliste, kanë rëndesi vetëm në fushate por jo edhe tani që e ka petkun e KM e te kryenegociatorit”

“Qeveria Kurti është ajo që ka krijuar pritshmëri që procesi do të zhvillohet në bazë të parimeve demokratike dhe se nuk do të jetë asgjë siç ka ndodhur deri me tani. Por krejt e kunderta po ndodhe tani. Vleresoj se dialogu eshte proces që kërkon angazhim serioz me akteret vendor dhe nderkombëtar dhe duhet të përmbyllet si proces sepse nëse nuk përmbyllet si çështje, Kosova ka nje te ardhme sfiduese ne arenën ndërkombetare” tha Musliu-Shoshi për “Gazeta Blic”

Edhe zyrtarja e lartë e AAK-së, Teuta Haxhiu, u shpreh skeptike rreh vendosjes së masës së Reciprocitetit.

Ndërsa sa i përket përfshirjes në dialog si subjekt opozitar, ajo theksoi se AAK-ja do të jetë gjithmonë e gatshme kur bëhet fjalë për interesat e vendit.

“Sot është 5 Maji është Dita e Dëshmorëve në Republikën e Kosovës, është një ditë e veçantë. Duke kujtuar këtë ditë dhe sakrificën e tyre, secili lider edhe Kryeministri Kurti duhet të mendojë mbi bazën e kujt është ndërtu sot Republika e Kosovës. Duke mos harru amanetin e tyre, së pari këtë duhet ta mbajnë mend dhe pastaj të vendosin Reciprocitetin.Reciprocitet nuk është me ju dhan 11 milion euro serbëve që shpenzojnë rrymën në Veri, fare nuk besoj në këtë punë.Aleanca ka tregu gjithçka sesi do të sillet karshi dialogut. Gjithçka që vjen në interes të vendit kemi tregu dhe jemi për, por gjithçka që tentohet të punohet pas dhe jo në interesa të vendit, ne normal që do të jemi zë i fuqishëm edhe në parlament por edhe jashtë paralmentit”

Por njohësi i çështjeve politike, Dorajet Imeri, nuk e sheh si hap të duhur vendosjen e Reciprocitetit me Serbinë.

Ai duke kujtuar efektin që ka patur në të kaluarën kjo masë, thekson se Kosova nuk duhet ta kornizojë dialogun .

Tutje ai thekson se përfshirja e opozitës në ekipin dialogues do të ishte një vlerë e shtuar.

“Reciprociteti si parim është teper i rëndësishëm ne Marrëdheniet Nderkombetare, por meqe si veprim politik, Kosoves, në të kaluarën i kishte shkaktuar shumë trysni, vleresoj se nuk është i duhur për momentin. Kosova, duhet ta korrnizojë dialogun, si në aspektin e temave ashtu edhe në limitet kohore. Perfshirja e opozitës, në një formë ose në tjetrën, do te ishte një vlere e shtuar për këtë proces kaq jetik per Kosovën, gjithmonë duke llogaritur se si veprim i tillë, do te forconte Republiken ne bisedimet me Serbinë” tha Imeri për “Gazeta Blic”

/ Gazeta Blic/

 

Bislimi: Dialogu me Serbinë rinis në qershor