Lajme

Si mund të garantohet lirimi i Thaçit e të tjerëve?

05/03/2021 17:08
nga:Q R

Një shtet i tretë apo ndonjë institucion ndërkombëtar mund të ofrojë garanci që ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe të akuzuarit tjerë në Hagë të kthehen në shtëpi për t’u mbrojtur në liri. Nëse kjo ndodh, Specialja e ka obligim që për tri ditë të marrë vendim për ta liruar apo jo të akuzuarin.

Gjykata Speciale ka refuzuar sërish që t’i lirojë nga paraburgimi në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësit tjerë politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Po kështu gjykata ka vendosur edhe ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa dhe ish-krerëve të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Vendimi i fundit i keq për ish-krerët e UÇK-së, megjithatë ua lë hapur Thaçit dhe të tjerëve një rrugë për të kërkuar lirimin me kusht. Sipas gjykatësit të Apelit në Speciale, Kai Ambos, nëse të akuzuarit marrin pëlqimin e një shteti të tretë dhe garantojnë se të akuzuarit do të mbrohen në liri, atëherë ka mundësi që Thaçit dhe të tjerëve t’u pranohet kërkesa për lirim të përkohshëm dhe të mbrohen në liri, raporton Gazeta Express.

“Një shtet i tretë që mund të marrë (pranojë) dhe, nëse është e nevojshme, të monitorojë një të dyshuar ose të akuzuar. Shteti mund të paraqes një ofertë të rëndësishme, ndoshta vendimtare brenda kornizës së lirimit me kusht. Ndërsa kjo ofertë ishte tepër e paqartë, siç thuhet me të drejtë në vendim dhe, në çdo rast, do të kërkohej një zotim i shprehur nga shteti i tretë, një ofertë e tillë mund të ishte më e saktë dhe konkrete në rastet e ardhshme dhe, në vijim, logjika i Panelit për këtë vendim mund të jetë një argument i fortë në favor të lirimit me kusht. Sigurisht, vendimi konkret është gjithmonë specifik për secilin rast dhe oferta e Shtetit të Tretë nuk garanton kurrsesi se do të jepet lirimi me kusht. Këtu, përsëri, unë thjesht dua të rris ndërgjegjësimin, domethënë që një ofertë e tillë, nëse bëhet konkretisht dhe mbështetet me garanci, përfshirë nga Shteti i Tretë përkatës, mund të zhvendosë ekuilibrin në favor të lirimit me kusht dhe për këtë arsye duhet të konsiderohet seriozisht nga Gjyqtari gjykues ose Kolegji kompetent”, thuhet në vendim.

Çfarë parasheh Ligji për Gjykatën Speciale për lirimin me kusht të të akuzuarve?

Ligji, i cili në vitin 2015 u miratua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash, u lë mundësi të akuzuarve që përmes marrjes së një garancie nga institucionet ndërkombëtare ose një shteti të tretë, të mbrohen në liri dhe kësisoj të lirohen mbi bazën e disa kushteve që do të përcaktoheshin paraprakisht.

Njëra nga pikat e nenit 41 të këtij ligji, përmend dorëzaninë dhe mundësinë e lirimit të të akuzuarit me kusht në Kosovë.

“Përveç paraburgimit, Dhomat e specializuara mund t’i urdhërojnë edhe masat në vijim për ta siguruar praninë e të akuzuarit (përfshirë përmes video telekonferencës) gjatë procedurës, për ta parandaluar përsëritjen e kryerjes së veprës apo për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale: a. fletëthirrjet, b. urdhër-arresti, c. dorëzani me lirim në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, d. paraburgim shtëpiak në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, e. premtim që të mos largohet nga vendbanimi aktual në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, f. ndalimi nga afrimi i vendeve apo personave të caktuar, g. paraqitja në stacionin e policisë apo në ndonjë vend tjetër në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës dhe h. devijimin”, thuhet në pikën e 12 të këtij neni.

Një nen tjetër përkufizon se si shtetet e treta dhe institucionet ndërkombëtare mund të bëjnë kërkesa në Speciale. Përveç për të akuzuarit, kërkesa të ngjashme mund të bëhen edhe për çështje tjera.

“Shtetet e Treta dhe Institucionet Ndërkombëtare mund të bëjnë kërkesa për masat e nevojshme që duhet të ndërmerren në lidhje me mbrojtjen e nëpunësve ose agjentëve të tyre dhe për mbrojtjen e informatave të tyre konfidenciale apo të ndjeshme. Procedura për këto kërkesa përcaktohet në Rregullat e Procedurës dhe Provave”, përcakton neni 58 i këtij ligji.

Neni vijues, parasheh që “Dhomat e specializuara mund të kërkojnë asistencën e shtetit pranues nëse është e nevojshme për të ruajtur ligjin dhe rendin brenda ndërtesave të Dhomave të Specializuara ose në afërsi të tyre”.

Çfarë parasheh Rregullorja e Procedurës dhe e Provave e Gjykatës Speciale për lirimin me kusht të të akuzuarve?

Në shumë pjesë të Rregullores së Procedurave dhe Provave mbi bazë të së cilës funksionon Gjykata Speciale, përmendet rishikimi dhe rivlerësimi i mbajtjes së të akuzuarve në paraburgim.

Rregulli 57 i kësaj rregulloreje parashikon rastet kur trupi gjykues mund të urdhërojë lirimin e një të akuzuari në cilëndo fazë të procesit gjyqësor.

“Në qoftë se ekzistojnë arsye të mjaftueshme të cilat përligjin lirimin e personit të paraburgosur, në varësi të nenit 41(6) të Ligjit, me kërkesë të personit të paraburgosur ose proprio motu, dhe pasi t’i ketë dëgjuar parashtrimet e palëve, trupi gjykues mund të urdhërojë lirimin e personit në cilëndo fazë të procesit gjyqësor”, thuhet në pikën 3 të këtij rregulli.

Sipas një pike tjetër aty, Gjykata Speciale vetëm kërkon të sigurohet se i akuzuari do të jetë i pranishëm gjatë procesit gjyqësor. Për këtë, gjykata i mirëpret kërkesat e një shteti të tretë, nëse ka, dhe merr vendim më së shumti tri ditë pas pranimit të saj..

“Në bazë të një kërkese sipas paragrafëve (2) ose (3), trupi gjykues mund të përcaktojë kushte të lirimit që i gjykon të përshtatshme për të garantuar praninë e të akuzuarit gjatë procesit gjyqësor, në përputhje me nenin 41(12) të Ligjit. Trupi gjykues dëgjon parashtrimet e një shteti të tretë në qoftë se personi i paraburgosur kërkon të lirohet në territorin e atij shteti. Personi i paraburgosur nuk lirohet në territorin e shtetit të tretë pa pëlqimin e atij shteti. Vendimi merret sa më shpejt që të jetë e mundshme dhe jo më vonë se tri (3) ditë pas parashtrimit të fundit”, thuhet në pikën 4 të të njëjtit rregull.

Në nëntor të vitit të kaluar, katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi u arrestuan me urdhërarrest të Speciales. Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e kësaj gjykate. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Ndër tjerash, Prokuroria e Specializuar i akuzon ata edhe se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

LEXO EDHE:

Isa Mustafa kërkon nga Kurti e Osmani të garantojnë për krerët e UÇK-së